Françesku, në bisedë me Telemundo-n, dje, më 25 maj, para takimit me Scholas Occurrentes. Papa trajtoi çështjen e emigrantëve, që ikin “nga nevoja”, pastaj çështjen e abortit dhe të celibatit për meshtarët, që, sipas tij, nuk ka asnjë lidhje me abuzimet. Shpjegoi se kërkon lutje për vete, pasi kur besimtarët luten për bariun e tyre, i japin atij një “armaturë” për t’u mbrojtur
R.SH. – Vatikan
“Paqja do të arrihet në ditën kur do të flasin me njëri-tjetrin, qoftë ndërmjet tyre, qoftë përmes të tjerëve”. Papa e hedh vështrimin mbi tragjedinë ukrainase, që vijon prej më se një viti, në intervistën e tij të fundit, dhënë Telemundo-s, rrjet televiziv amerikan në gjuhën spanjolle. Intervista u realizua dje, më 25 maj, në bisedë me gazetarin Julio Vaqueiro, në Institutin Augustinianum të Romës, vetëm pak metra larg Vatikanit, ku Françesku u takua me kryetarët e bashkive të Amerikës Latine dhe të Evropës, pjesëmarrës në konferencën “Qytetet Eko-edukative”, organizuar nga Fondacioni Scholas Occurrentes. Ati i Shenjtë preku çështje delikate si lufta, aborti, celibati i meshtarëve, shëndeti i tij personal, emigrantët dhe lutja e besimtarëve për të, që i shërben “si armaturë”.
Kërkesa e Zelensky-t: fëmijët të kthehen nga Rusia në Ukrainë
Papa foli për takimin e tij me presidentin ukrainas, Volodimyr Zelensky dhe për fjalët që i tha ky i fundit, kur nënvizoi se nuk ka nevojë për ndërmjetësues – gjë, që u vu në dukje me bujë nga mediat botërore. “Nuk ishte ky toni i bisedës”, vërejti Françesku, duke vënë në pah se Zelensky i kërkoi një favor shumë të madh, “të merremi me fëmijët, që janë dërguar në Rusi”. “Nuk ëndërrojnë dhe aq ndërmjetësimet, sepse në të vërtetë, blloku i Ukrainës është shumë e fortë. E gjithë Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, kanë forcë të madhe. Ajo, që i shkakton shumë dhimbje – prandaj kërkon ndihmë – është mundësia për t’i rikthyer fëmijët në Ukrainë”, shpjegoi Papa. “Për të arritur paqen, a mendoni se Rusia duhet t’i kthejë territoret e pushtuara?”, pyeti intervistuesi. “Është problem politik,” u përgjigj Jorge Mario Bergoglio.
Strategji, që favorizon zhvillimin e vendeve të origjinës së emigrantëve
Problem tjetër i mprehtë për Papën Françesku është emigracioni, i cili ka nevojë për një strategji, që favorizon zhvillimin e vendeve të origjinës së emigrantëve, sidomos në Afrikë, e cila shfrytëzohet vazhdimisht nga vendet më të pasura. Ati i Shenjtë vuri në dukje dramën e atyre, që ikin të dëshpëruar nga atdheu, sepse kanë nevojë të sigurojnë një jetë më të mirë, duke ndërmarrë shpesh, udhë tejet të vështira. Kujtoi historinë e familjes së vet, emigrante nga Italia, duke theksuar se edhe ai vetë ndihet disi emigrant në Romë, ku “maté”-n (pija, që i pëlqen jashtëzakonisht) nuk ta bën askush siç e bën nëna, në shtëpi. “Të mungon ajri i vendit ku ke lindur”, nënvizoi Bergoglio, duke ftuar për mikpritjen e migrantëve.
Aborti e celibati
Gjatë intervistës, Papa përmendi edhe çështjen e abortit, duke theksuar edhe një herë qëndrimin e tij kundër tij, nisur nga studimet shkencore mbi embrionin, jetë e re që në muajin e parë. Pastaj, foli për celibatin e meshtarëve dhe për lidhjen e tij me abuzimet e klerit. Në të vërtetë, sipas të dhënave statistikore, vërehet se fakti që meshtarët nuk martohen nuk ka të bëjë me ndonjë shtim të mundshëm të abuzimeve me të miturit.
Lutja e besimtarëve i jep “një armaturë” bariut të Kishës
Gjatë bisedës, nuk mungoi edhe çështja e shëndetit dhe e problemeve në gju. Më parë nuk mundja, por tani eci prapë”, buzëqeshi Papa, i cili nuk harroi edhe bronkitin për të cilin u shtrua në spitalin Gemelli – “e kapëm shpejt”, tha.
Më pas, shpjegoi arsyen pse kërkon gjithnjë lutje për veten. “Nganjëherë – pohoi Françesku – njerëzit nuk e kuptojnë sa pushtet kanë kur luten për barinjtë e tyre. Lutja e besimtarëve bën mrekulli, vërtet, bën mrekulli. Kujdesuni për bariun. Bariu, çdo bari, qoftë famullitar, ipeshkëv o çfarëdo tjetër, sikur mbrohet, blindohet, pajiset me armaturë, kur besimtarët luten për të”.
Reformat e 10 viteve të papnisë
Së fundi, një përshkim i shpejtë i reformave të 10 viteve të papnisë. Në të vërtetë, nënvizoi Papa, nuk janë as më pak e as më shumë nga sa kërkuan kardinajtë në takimet para Konklavit: “sistemi ekonomik, ligjet e reja të Shtetit të Vatikanit, baritoria e shërbimit vatikanas”. E, sidomos, roli i grave. Gjithsesi, Ati i Shenjtë theksoi se kur sheh të ardhmen mendon se ende duhet bërë gjithçka, sepse i duket sikur mungon gjithçka. Synimi i tij kryesor është lufta kundër klerikalizmit, të cilin e konsideron “perversion”. “Nëse je klerik, nuk je bari i Kishës – përfundoi Papa intervistën. – U them gjithmonë ipeshkvijve, meshtarëve e, edhe vetes, që të jemi barinj”.