Lajme

Papa Françesku të rinjve rusë: jini artizanë të paqes, ndërtoni ura!

Bëhuni ”mjeshtra të paqes në mes të gjithë këtyre konflikteve dhe polarizimeve”, e edhe ndërtues ”urash”. Kjo, thirrja e Papës në një video-mesazh, nisur dje e publikuar sot, drejtuar të rinjve rusë, mbledhur në Shën Petersburg me rastin e Takimit të X Kombëtar të të rinjve katolikë të Rusisë:

”Të dashur të rinj, ju ftoj të jeni ndërtues urash. Ndërtues urash ndërmjet brezave, duke njohur ëndrrat e atyre që ju paraprinë rrugës. Aleanca ndërmjet brezave e mban gjallë historinë dhe kulturën e një populli. Ju uroj ju, të rinj rusë, të jeni artizanë të paqes në mes të kaq shumë konflikteve, në mes të kaq polarizimeve që ekzistojnë në të katër anët, që e stërmundojnë botën tonë”.

Kjo, thirrja e Papës, që vijon me ftesën prekëse:

“Ju ftoj të jeni mbjellës, të mbillni farat e pajtimit, fara të vogla që në këtë dimër lufte nuk do të mbijnë në tokën e ngrirë, por do të lulëzojnë në një pranverë të ardhshme”.

Ky, urimi i Papës Françesku drejtuar të rinjve rusë, që po mbartin mbi supe barrën e padurueshme të një lufte krejt të padëshiruar! Ndërsa ëndërrojnë fundin e saj dhe rikthimin e paqes.