Jonida Vokshi ka dhënë një intervistë për mediat kosovare dhe ka rrëfyer për herë të parë betejën e babait të saj me sëmundjen e demencës. Pas 5 vitesh me demencë, babai i moderatores u nda nga jeta pak javë më parë pas 1 muaji në koma. “Babi prej 4 apo 5 vitesh filloi të kishte problemet e para me harresën, gjë që ndodh që ti ia vendos fajin moshës. Justifikonim me faktin se ‘Jemi ne të rinj dhe po harrojmë’. Fillesat ishin të lehta, harrim i objekteve, historia të përsëritura më shumë se njëherë.
Por, fatkeqësia ishte se nuk ishte vetëm një harresë momentale, por ishin fazat e para të demencës. Kushdo që e ka provuar te njerëzit e tyre më të afërt, besoj për mua është sëmundja më e rëndë dhe e vështirë për t’u përballuar. Është ajo sëmundje që të merr jetën, i afërmi yt fillon dhe transformohet para syve të tu. Për ne ishte një 5-vjeçar i vështirë, i qëndruam afër aq sa dinim sepse ishim të papërgatitur. Ishte e vështirë, pavarësisht se jemi munduar të jetë prioritet për ne, jeta nuk ishte e thjesht me të.
Edhe pse sëmundja sa vinte e avancohej, kurrë nuk iu shua dashuria, të dhënit dashuri kundrejt nesh, mamit, meje, Besnikut dhe fëmijëve. Kjo më mbush me kujtime të bukura, shoh videot dhe fëmijët e mi aq sa mundet janë rritur me gjyshin.
Dhe ajo çka ngre kokën lart dhe i them faleminderit Zotit, është se unë e humba atë në një moment kur ai ende na mbante mend dhe kam ende imazhet e tij që më falte dashuri, se më ka pasur pikën e dobët. Deri ditën e fundit që humbi koshenicën dhe ra në koma, pasi 1 muaj ka qëndruar në koma derisa i pushoi zemra. Derisa ndodhi kjo i thoshte infermiereve që unë isha shpirti i tij. Ky është imazhi i fundit i babit dhe nuk dua të kem tjetër.
Ka lënë një boshllëk, kam patur momente të vështirë, që nuk doja të bëja asgjë, por të rrija me veten time dhe kujtimet me babain. Por ai nuk do ta donte këtë, sepse s’do më bënte mirë as mua dhe as fëmijëve që të shohin nënën e tyre në atë gjendje. Ai më thoshte gjithmonë që duhet të isha e fortë. Dhe e mora situatën e dorë dhe mundohem që edhe dhimbjen, e forcën për të ecur përpara, ta ndaj me njerëzit sepse e di që dikë do e ndihmojë.
Do të jetoj me këtë boshllëk dhe dua të jetoj. Ne nuk e dimë çfarë është vdekja, thjesht e humbim dikë. Por, koncepti i vdekjes është një koncept që gjithsecili i jep konotacionin që dëshiron. Nuk ke pse ta pranosh vdekjen, nuk e kam pranuar vdekjen tek babai im, e di që është diku. Lus që ta ndjej prezencën e tij nëpërmjet gjërave të vogla që më ndodhin gjatë ditës dhe kjo po më ndodh. Te njerëzit e afër s’kemi pse ta pranojmë vdekjen”, u shpreh Jonida Vokshi.
bal