Në prag të vendimit të pritshëm më 16 shtator ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, në Kosovë janë shtuar deklaratat paralajmëruese për pasojat e mundshme të një vendimi dënues, ndërsa edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka lëshuar njoftim sigurie për qytetarët amerikanë lidhur me protesta të mëdha të paralajmëruara në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës. Sipas Ambasadës, demonstratat mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje serioze të trafikut, duke këshilluar shmangien e zonave ku priten protestat.
Në të njëjtën kohë, deputetë të PDK-së dhe përfaqësues të veteranëve kanë bërë deklarata të forta për situatën që mund të pasojë një vendim të pafavorshëm. Ganimete Musliu ka paralajmëruar për “pasoja jashtëzakonisht të mëdha zinxhirore” për Kosovën dhe faktorët ndërkombëtarë, ndërsa Mërgim Lushtaku ka thënë se do të ndiqen të gjitha rrugët juridike, por ka përmendur edhe mundësinë e lejimit të armatosjes së qytetarëve, për shkak të rrezikut që, sipas tij, mund të vijë nga Serbia. Ndërkaq, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, javë më parë ka paralajmëruar për përshkallëzim të situatës, duke thënë se në rast dënimi “do të digjet flakë” jo vetëm Kosova, por edhe pjesë të tjera të rajonit.
Publicisti Fadil Lepaja, ndërkaq, thotë se qytetarët nuk duhet të bien në grackën e ngritur nga Serbia.
Sipas tij, Serbia kërkon të përsëritet viti 2004 dhe synimi i saj është që qytetarët e Kosovës t’i kthejë kundër Perëndimit.
“Jam i bindur se qytetarët e Kosovës nuk do të bien në grackën e ngritur nga Serbia, për t’u rebeluar dhe për të djegur Kosovën në emër të mbrojtjes së UÇK-së. Vetëm duke mbrojtur Kosovën mbrohet UÇK-ja. Serbia nuk mund të mashtrojë më askënd duke dëshiruar që edhe njëherë të përsëritet viti 2004, kur ajo kishte arritur që mbi shtatin e kriminelëve të luftës të veshë rrobat e viktimës. Serbia synon që qytetarët e Kosovës t’i kthejë kundër Perëndimit dhe kundër Bashkimit Evropian, ndërsa Perëndimin ta kthejë kundër Kosovës. Duke nxitur protesta të dhunshme, synojnë të kthejnë protestuesit kundër shumicës së qytetarëve të Kosovës. Prandaj, çdo protestë, nëse është e nevojshme, duhet të jetë dinjitoze dhe të tregojë se ne besojmë në Perëndimin dhe në drejtësinë”, deklaron Lepaja për “Bota sot”.

Fadil Lepaja
Sipas tij, edhe nëse vendimi nuk do të jetë siç dëshirohet, zemërimi nuk duhet të kthehet kundër Kosovës.
“Ne besojmë dhe shpresojmë se verdikti i Gjykatës do të jetë shfajësues, dhe kështu do të festojmë të gjithë bashkë — edhe ata që e votuan, edhe ata që nuk e votuan Gjykatën Speciale. Por, sido që të jetë, edhe nëse vendimi nuk do të jetë ai që duam ne, zemërimi ynë nuk do të kthehet kundër Kosovës”, shprehet publicisti.
Në fund, ai shton se populli duhet ta ketë të sigurt rrugën euroatlantike.
“Ne nuk do ta djegim e as destabilizojmë vendin tonë; përkundrazi, do ta djegim çdo përpjekje të Serbisë për t’u rikthyer në Kosovë apo për të përbaltur luftën tonë të drejtë për liri. Çlirimtarët luftuan që ky popull ta gëzojë lirinë dhe demokracinë; që ky popull të ketë të sigurtë rrugën Euro-Atlantike; dhe që ky popull të zgjedhë qeverisjen që do vetë, duke respektuar mendimet e ndryshme dhe pakicat. Ky është zotimi ynë, kjo është trashëgimia jonë, dhe kjo është rruga jonë e pandalshme”, përfundon Lepaja.
Gjykata Speciale me seli në Hagë u krijua në kuadër të një procesi të veçantë juridik për trajtimin e pretendimeve për krime të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 miratoi ndryshimet kushtetuese dhe bazën ligjore që mundësuan funksionalizimin e Dhomave të Specializuara, të cilat veprojnë sipas ligjeve të Kosovës, por me seli në Hagë.
Procesi ka qenë i shoqëruar me debate të forta politike e shoqërore në Kosovë. Ndërsa mbështetësit e Gjykatës e kanë konsideruar atë mekanizëm për adresimin e pretendimeve individuale për krime, kundërshtarët kanë ngritur shqetësime për trajtimin e UÇK-së dhe për ndikimin që proceset mund të kenë në perceptimin ndërkombëtar të luftës së Kosovës.
