Në një deklaratë publike, ish-shefi i AKI-së, Burim Ramadani, ka kritikuar partitë opozitare në Kosovë, duke thënë se ato nuk po funksionojnë si opozitë e strukturuar.
Sipas tij, partitë jopushtetare nuk kanë arritur të krijojnë një platformë apo koncept të përbashkët që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duke mos ofruar një alternativë të qartë qeverisëse ndaj Lëvizja Vetëvendosje.
Ramsdani përmendi edhe takimet e ndara mes LV-së, PDK-së dhe LDK-së për çështjen e presidentit, duke shpresuar që ato të sjellin marrëveshje për të shmangur zgjedhje të reja. Ai paralajmëroi se mungesa e një zgjidhjeje mund të rrisë apatinë politike te qytetarët.
Postimi i Ramandanit:
Në Kosovë nuk ka opozitë të strukturuar. Ka parti që nuk janë në pushtet, por ato assesi nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe as qëllimet e përbashkëta.
Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, partitë jopushtetare nuk kanë arritur të ndërtojnë koncept e platformë të përbashkët. Kështu, nuk i kanë dhënë qytetarëve një alternativë, nuk i kanë dhënë qytetarëve besimin se ato mund të ndërrojnë pushtetin tashmë shumëvjeçar të LV-së.
Në vend se të ndërtojnë qasje të përbashkët, partitë jopushtetare kanë vazhduar të shohin vetëm veten në mënyrë të ndarë dhe nuk kanë dhënë opsion tjetër qeverisës e institucional. Në periudhën e fundit, kanë ndodhur disa takime të ndara midis LV-së dhe PDK-së e LDK-së për çështjen e Presidentit. Uroj që këto takime të nxjerrin ‘tymin e bardhë’ më në fund, me qëllimin që Kosova të mos shkojë edhe njëherë në zgjedhje. Pasi që këto parti jopushtetare kanë filluar diskutimet me LV-në për Presidentin, besoj se do të ishte mirë që këto negociata të dalin ë suksesshme.
Në të kundërtën, besimi qytetar do të tronditej edhe më shumë dhe kjo do të çon tek një apati politike qytetare.
