Lajme

Parashikimi i motit, kthjellime dhe vranësira të lehta gjatë ditës, temperaturat arrijnë deri në 35 gradë

Sipas MeteoAlb, orët e para të mëngjesit dhe mesditës do të sjellin intervale të gjatë me kthjellime në zonat bregdetare dhe në qytetet e zonës së ulët.

Ndërsa në shtrirjen Lindore parashikohet që herë pas here të ketë kalime të lehta të vranësirave.

Por pas mesdite pritet që vranësirat gradualisht të shfaqen në pothuajse të gjithë vendin tonë, ku më të fokusuara do të jenë në orët e pasdites në zonat Verilindore dhe Juglindore të Shqipërisë duke krijuar mundësi për momente të pakta me pika shiu në skajin Juglindor.

Vija bregdetare edhe në pjesën e dytë të ditës do të jetë me intervale kthjellimesh, por do të ketë edhe kalime të lehta të vranësirave.

Temperaturat e ajrit do të vijojnë të rriten në mëngjes, por ulen lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 16°C vlera minimale deri në 35°C vlera maksimale.

Era do të fryjë e lehtë dhe deri mesatare me shpejtësi 30 km/h kryesisht nga drejtimi Perëndimor; për pasojë në brigjet detare do të gjenerohet dallgëzim 2 ballë.

Kosova

Republika e Kosovës në pjesën e parë të ditës parashikohet të jetë nën mbizotërimin e intervaleve të gjata me kthjellime, të cila më të dukshme pritet të jenë në zonat Jugore dhe Perëndimore të vendit.

Ndërsa pjesa tjetër e territorit do të ketë kalime të lehta të vranësirave. Por në orët e mesditës dhe pasdites vranësirat do të shtohen në të gjithë territorin e vendit, por nuk pritet të krijojnë mundësi për reshje.

Mbrëmja sjellë largim gradual të vranësirave nga Kosova. Temperaturat e ajrit do të vijojnë të rriten në mëngjes, por ulen lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 14°C deri në 30°C.

Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi deri në 35 km/h përgjatë gjithë ditës nga drejtimi Veriperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Republika e Maqedonisë së Veriut do të vijojë që në orët e parë të mëngjesit dhe mesditës të mbizotërohet nga intervalet e gjata me diell, të cilat më të dukshme parashikohet të jenë në zonat

Perëndimore dhe Jugore të territorit. Por sërish pjesa e dytë e ditës pritet të shfaq vranësirat në të gjithë vendin, ku më të theksuara ato do të jenë në orët e pasdites në zonat Qendore dhe Lindore të Maqedonisë së Veriut .

Përsa i përket; Temperaturat e ajrit do të rriten në vlerat minimale, por ulen lehtë maksimalet duke luhatur vlerat ditore nga 13°C vlera minimale deri në 32°C vlera maksimale në rang vendi.

Ndërkohë; Era do të fryjë mesatare përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale 28 km/h nga drejtimi Perëndimore.

Europa

Zhvillimi i Ciklonit të Islandës do të diktojë kushtet atmosferike në një pjesë të madhe të kontinentit Europian, duke sjellë në Ishujt Britanik dhe Qendrën e kontinentit vranësira të dendura të cilat do të gjenerojnë reshje shiu. Reshjet herë pas here do të jenë edhe në formë rrebeshi.

Po ashtu me vranësira dhe reshje shiu parashikohet të jetë Gadishulli Apenin, pjesërisht brigjet e Egjeut dhe Europa Lindore.

Ndërsa në gadishullin Skandinav kemi përmirësim të motit duke bërë që të jetë me alternime kthjellimesh dhe kalime të shpeshta të vranësirave. Gjithashtu dhe Jugperëndimi i kontinentit pritet të jetë nën ndikimin e motit të qëndrueshëm.

/abcnews.al/