ShowBizzz

Parashqevi Simaku flet për Fest ’63/ “Puthje për të gjithë ju…”

Në natën e tretë të Fest 63, në ‘Natën e Nostalgjisë’, është krijuar një emocion i veçantë, kur Festivali i Këngës është përshëndetur nga Parashqevi Simaku, e cila për vite me radhë ka shkruar historinë e këtij eventi mbarëkombëtar, duke fituar edhe dy çmime të para.

Vajza që bëri shumë artistë të ëndërronin për magjinë e skenës së Festivalit të Këngës ndër vite, ka përshëndetur nga Nju-Jorku, duke shprehur dëshirën e saj për të qenë edhe ajo në këtë skenë, ashtu si dekada më parë. Ajo u dërgoi “puthje” 30 konkurruesve në garë.

“Përshëndes Festivalin e 63-të të Këngës në Radio Televizion. Do të doja të isha aty. Herën e fundit që kam qenë aty këndova një këngë të bukur në vitin 1999, që quhet “Dëgjoma këngën”. Një puthje për të gjithë ju, konkurrentët e Festivalit të 63-të”, tha Simaku.

Simaku është një nga personalitetet e muzikës shqiptare, e cila ka gdhendur emrin e saj jo vetëm në muzikën e lehtë dhe atë qytetare shqiptare, por edhe në skenën e Festivalit të Muzikës, që organizohet prej 63 vitesh nga Radio dhe Televizioni Shqiptar.

Parashqevi Simaku ka fituar dy çmime të para në Festivalet e Muzikës: Në 1985 me këngën “Në moshën e rinisë”, kompozuar nga Vladimir Kotani me tekst të Arben Dukës, si dhe në vitin 1988 me këngën “E duam lumturinë”, me muzikë të Pirro Çakos dhe tekst të Agim Doçit.



bal