Lajme

“Partia e idealistëve ra në duart e tuxharëve të idealeve” – Florian Dushi tregon pse, sipas tij, LDK-ja erdhi deri këtu

Partia e idealistëve ra në duart e tuxharëve të idealeve” – Florian Dushi me kritika të forta për gjendjen në LDK

Florian Dushi, një nga veprimtarët e njohur dhe zërat kritikë jo vetëm brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me gjendjen aktuale në LDK, duke rikthyer në vëmendje rrugëtimin, sakrificën dhe kontributin e brezit të hershëm të kësaj partie.

Dushi thotë se ai dhe bashkëmendimtarët e tij iu bashkuan LDK-së në vitet më të vështira për Kosovën, jo për poste apo privilegje, por të bindur në një ide politike dhe në vizionin e Presidentit Ibrahim Rugova.

Ai kujton kohën kur anëtarësimi në LDK, sipas tij, nuk sillte pushtet e rehati, por përgjegjësi, sakrificë dhe shpesh edhe rrezik.

“Ishim me LDK-në atëherë kur përkatësia në të nuk të sillte pushtet e rehati, por përgjegjësi, sakrificë, e shpesh edhe kërcënime e rrezik”, shkruan Dushi.

Duke folur për gjendjen e sotme, ai ngre një pyetje të drejtpërdrejtë për ata që, sipas tij, kanë ardhur më vonë në këtë subjekt politik:

“Prej nga e drejta e atyre që erdhën të fundit t’ua matin sot besimin dhe besnikërinë atyre që ishin këtu ndër të parët?”

Dushi e cilëson LDK-në si një trashëgimi politike që nuk mund të konsiderohet pronë e një individi, grupi apo mandati.

“Ajo është histori, sakrificë dhe një ide politike e ndërtuar mbi vizionin e themeluesve të saj në krye me Presidentin Rugova”, shprehet ai.

Por kritikat e tij nuk ndalen këtu. Dushi pranon se edhe mbështetësit e hershëm të LDK-së kanë përgjegjësi për situatën e krijuar, duke thënë se për një kohë të gjatë “u sollën si tifozë, kur duhej të silleshin si zot shtëpie”.

Në pjesën më të ashpër të reagimit të tij, ai përdor një metaforë të fortë për të përshkruar, sipas tij, degradimin e vlerave të partisë:

“Dhe kështu lejuam që partia e idealistëve të bjerë në duart e tuxharëve të idealeve.”

Dushi kundërshton gjithashtu akuzat se kritikat ndaj zhvillimeve në LDK mund të jenë në funksion të partive të tjera politike.

“Ne erdhëm sot këtu për LDK-në. Këtu ishim kur ishte vështirë, këtu jemi edhe sot dhe nuk kemi nevojë për lejen e askujt për ta mbrojtur shtëpinë tonë politike”, përfundon ai.

Postimi i plotë:

NE ERDHËM SOT KËTU…

Ne erdhëm sot këtu sepse në vitet më të liga për Kosovën besuam dhe u besatuam me LDK-në dhe Presidentin Ibrahim Rugova. Jo për poste e privilegje, por për një ide, një rrugë politike dhe për Kosovën që ëndërronim ta shihnim të lirë, të pavarur e demokratike.

Ishim me LDK-në atëherë kur përkatësia në të nuk të sillte pushtet e rehati, por përgjegjësi, sakrificë, e shpesh edhe kërcënime e rrezik.

Për vite të tëra ecëm derë më derë, lagje më lagje, organizuam nëndegë e degë, tubime e fushata. Fituam e humbëm bashkë, mbrojtëm votën dhe kërkuam besimin e qytetarëve për LDK-në. Qëndruam edhe atëherë kur ishte shumë më lehtë të largoheshe sesa të qëndroje, prandaj na quajtën: Qëndrestarë.

Ne erdhëm sot këtu sepse besuam se LDK-ja nuk është pronë e askujt. As e një kryetari, as e një grupi, as e një mandati. Ajo është histori, sakrificë dhe një ide politike e ndërtuar mbi vizionin e themeluesve të saj në krye me Presidentin Rugova.

Prandaj, prej nga e drejta e atyre që erdhën të fundit t’ua matin sot besimin dhe besnikërinë atyre që ishin këtu ndër të parët?

Prej nga guximi i atyre që LDK-në e gjetën të gatshme, me emër, histori dhe trashëgimi politike, t’u tregojnë çka është LDK-ja atyre që dhanë vite të jetës për ta ndërtuar, mbajtur dhe mbrojtur atë?

E edhe më keq: prej nga gjithë kjo poshtërsi e pafytyrësi për të shpifur se kundërshtimi ynë ndaj degradimit të LDK-së qenka shërbim ndaj partive të tjera? Madje edhe ndaj atyre përballë të cilëve, kur duhej, kemi futur kokën në rrezik e kemi nxjerrë gjokset tona përpara për ta mbrojtur këtë parti dhe vizionin e Presidentit Rugova.

Por një pjesë të fajit e kemi edhe ne.

Për shumë kohë u sollëm si tifozë, kur duhej të silleshim si zot shtëpie. Heshtëm kur duhej të flisnim dhe toleruam kur duhej të kundërshtonim. Besuam se historia e LDK-së ishte aq e madhe sa askush nuk do të guxonte ta tjetërsonte.

Dhe kështu lejuam që partia e idealistëve të bjerë në duart e tuxharëve të idealeve.

Sot këta duan jo vetëm ta drejtojnë LDK-në, por edhe të na tregojnë neve se sa e duam atë dhe kush paska të drejtë të flasë në emër të saj.

Këtë të drejtë nuk ua kemi dhënë.

Ne erdhëm sot këtu për LDK-në. Këtu ishim kur ishte vështirë, këtu jemi edhe sot dhe nuk kemi nevojë për lejen e askujt për ta mbrojtur shtëpinë tonë politike

Të Ngjashme