Lajme

Partitë shqiptare të Luginës në një front për zgjedhjet e 25 tetorit

Marrëveshja për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, e arritur mes tetë subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, ka hapur një kapitull të ri në përpjekjet për bashkimin e faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës. Lista e përbashkët synon që vota shqiptare të përqendrohet në një garë të vetme në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, duke lënë përkohësisht mënjanë dallimet mes partive dhe subjekteve politike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi për marrëveshjen, e ka cilësuar bashkëpunimin si një zotim të përbashkët të përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës.

“Pas bisedave dhe përpjekjeve për t’i afruar qëndrimet, vullneti për bashkëpunim mori formën e një zotimi të përbashkët. I falënderoj kryetarët e subjekteve politike: Shaip Kamberin (PVD), Visar Memetin (APN), Nagip Arifin (PD), Agim Sabedinin (PDSH), Shqiprim Musliun (LPD), Sami Salihun (LR), Armend Aliun (AL) dhe Naser Azirin (UDSH), për angazhimin dhe gatishmërinë që, përtej dallimeve, të gjejnë te njëri-tjetri bashkëbiseduesin dhe të ndajnë përgjegjësinë ndaj qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky bashkim nuk duhet të shihet vetëm në funksion të zgjedhjeve, por si një angazhim më i gjerë për të drejtat politike, institucionale, ekonomike, gjuhësore dhe kulturore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Ai ka vënë në pah edhe çështjen e përfaqësimit të garantuar, duke e krahasuar atë me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë.

“Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Asimetria e të drejtave është po ashtu padrejtësi. Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse. Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në fqiun tonë verior, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e tyre.

Të drejtat dhe identiteti janë themele të këtij angazhimi që e shoqërojnë përditshmërinë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ato mishërohen me mbrojtjen nga pasivizimi diskriminues i adresave, përfaqësimi i drejtë në institucione publike si dhe zhvillimi ekonomik. Gjuha e kultura, simbolet dhe kujtesa jonë janë pjesë e qenies sonë dhe e përgjegjësisë që kemi ndaj brezave që vijnë. Sepse brenda secilës prej këtyre kërkesave jeton një shpresë njerëzore, për të punuar, për të krijuar familje dhe për të ndërtuar një jetë me dinjitet në vendlindje”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Hebibi: “Koalicioni Shqiptar” duhet të jetë më shumë se një marrëveshje zgjedhore

Image
Dashnim Hebibi

Lidhur me këtë çështje, Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se bashkimi politik duhet të shkojë përtej zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe të shndërrohet në një platformë afatgjatë për përfaqësimin dhe të ardhmen e shqiptarëve të Luginës.

“Marrëveshja për krijimin e “Koalicionit Shqiptar” mes subjekteve politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është një zhvillim që duhet përshëndetur. Por nëse ky bashkim do të mbetet vetëm një marrëveshje për zgjedhjet parlamentare në Serbi, atëherë do të humbasë mundësinë për t’u shndërruar në një platformë të përbashkët politike për përfaqësimin dhe të ardhmen e shqiptarëve të Luginës.

Në rrethanat në të cilat ndodhet Lugina, bashkëpunimi politik nuk është më një zgjedhje, por një nevojë. Prandaj, edhe nisma e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për afrimin e subjekteve politike shqiptare të Luginës duhet përshëndetur. Por kjo nismë do të kishte vlerë edhe më të madhe nëse nuk do të kufizohej vetëm te zgjedhjet e Serbisë. Lugina nuk ka nevojë për bashkim vetëm deri më 25 tetor. Ka nevojë për bashkim edhe pas zgjedhjeve. Sepse problemet e shqiptarëve të Luginës nuk kanë afat zgjedhor”, ka thënë ai.

“Mandati parlamentar është mjet, jo qëllim”

Sipas Hebibit, një listë e përbashkët mund të sjellë përfaqësim më të unifikuar në Parlamentin e Serbisë, por rëndësia e saj duhet të matet përmes veprimeve që do të ndërmerren pas zgjedhjeve.

“Një listë e përbashkët mund të krijojë një përfaqësim më të unifikuar në Parlamentin e Serbisë. Por vlera e saj e vërtetë do të matet pas zgjedhjeve. Pyetja nuk është vetëm sa deputetë shqiptarë do të jenë në Parlamentin e Serbisë, por çfarë do të bëjnë ata me atë mandat.

Mandati parlamentar është mjet, jo qëllim. Ai duhet të përdoret për të avancuar të drejtat, për të kërkuar investime, për të ngritur problemet e qytetarëve dhe për të krijuar presion institucional e politik.

Ndërsa partitë diskutojnë për lista dhe mandate, realiteti në terren është shumë më i ashpër. Lugina përballet me probleme në arsim, shëndetësi, ekonomi, punësim dhe demografi. Një komunitet nuk mund të mbahet gjallë vetëm me deklarata politike. Ka nevojë për shkolla, shërbime shëndetësore, vende pune, investime dhe perspektivë”, ka theksuar Hebibi.

“Rinia po largohet dhe kjo është beteja kryesore”

Hebibi ka veçuar largimin e të rinjve si një prej problemeve më serioze të shqiptarëve të Luginës.

“Problemi më i madh i Luginës nuk është vetëm politik. Është demografik. Shumë të rinj kanë ikur dhe shumë të tjerë po përgatiten të largohen. Ata kërkojnë punë, arsim, siguri dhe perspektivë. Nëse nuk i gjejnë në vendlindje, i kërkojnë diku tjetër.

Kur largohet një i ri, nuk humbet vetëm një votues. Humbet një profesionist i ardhshëm, një sipërmarrës, një mësues, një mjek, një inxhinier dhe një familje që mund të ndërtohej në vendlindje. Nëse vazhdon kjo tendencë, rreziku nuk është vetëm që shqiptarët të kenë më pak përfaqësues. Rreziku është që pas disa vitesh të ketë më pak shqiptarë për t’u përfaqësuar”, ka potencuar ai.

“Medvegja është alarmi më i madh”

Duke folur për situatën demografike, Hebibi e ka veçuar Medvegjën si një prej rasteve më shqetësuese.

“Medvegja është ndoshta shembulli më dramatik i zbrazjes së një treve shqiptare. Sot, prania shqiptare atje është reduktuar në pak familje dhe shumë prej atyre që kanë jetuar dikur në atë hapësirë janë larguar. Nëse politika shqiptare nuk ndërton një strategji të veçantë për këtë komunë, rrezikohet që procesi i zbrazjes të bëhet praktikisht i pakthyeshëm.

Kjo kërkon më shumë se deklarata. Kërkon investime, politika ekonomike, mbështetje për familjet, arsim, infrastrukturë dhe mundësi për rikthimin e njerëzve.

Në platformën e përbashkët duhet të kenë vend të veçantë çështja e pasivizimit të adresave, përdorimi i simboleve kombëtare, arsimi dhe tekstet në gjuhën shqipe, përfaqësimi proporcional në institucionet publike dhe zhvillimi ekonomik”, ka shtuar ai.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë strategji afatgjatë”

Sipas Hebibit, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një qasje të vazhdueshme ndaj shqiptarëve të Luginës, ndërsa mërgata duhet të përfshihet në strategjitë për zhvillimin e këtyre trevave.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e shqiptarëve të Luginës. Por kjo mbështetje nuk duhet të aktivizohet vetëm kur afrohen zgjedhjet. Duhet të ketë një mekanizëm të përhershëm bashkëpunimi, projekte konkrete, mbështetje për arsimin, shëndetësinë, bizneset dhe investimet, si dhe një strategji për ta ndalur zbrazjen demografike.

Mërgata shqiptare e Luginës është gjithashtu një faktor i rëndësishëm. Ajo ka profesionistë, sipërmarrës dhe njerëz me eksperiencë që mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendlindjes. Prandaj, duhet të krijohet një mekanizëm për përfshirjen e saj në strategjinë për të ardhmen e Luginës”, ka thënë ai.

Në fund, Hebibi ka kërkuar që “Koalicioni Shqiptar” të mos mbetet vetëm një marrëveshje për zgjedhjet.

“Koalicioni Shqiptar mund të jetë më shumë se një listë zgjedhore. Mund të jetë fillimi i një forme të re bashkëpunimi politik. Por për këtë duhet vullnet, platformë, përgjegjësi, transparencë dhe mbi të gjitha vazhdimësi.

Bashkimi nuk mund të jetë vetëm në fotografitë e përbashkëta para zgjedhjeve. Duhet të jetë edhe në kërkesat e përbashkëta pas zgjedhjeve. Lugina nuk mund të mbahet gjallë vetëm me një listë zgjedhore, me deputetë apo me deklarata. Ajo ka nevojë për shkolla dinjitoze, shërbime shëndetësore, vende pune, investime, përfaqësim institucional dhe një perspektivë reale për të rinjtë.

Prandaj, zgjedhjet e 25 tetorit duhet të shihen si pikënisje, jo si destinacion. Lugina nuk ka nevojë për folklor politik. Ka nevojë për strategji, veprim dhe një politikë të qëndrueshme që shqiptarët të mund të qëndrojnë, të punojnë, të arsimohen dhe të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre”, ka përfunduar Hebibi për “Bota sot”.

Hyseni: Lista e përbashkët mund të jetë pikënisje për një fazë të re të bashkëpunimit politik shqiptar në Luginë

Image
Nehat Hyseni

Ndërsa, opinionisti, Nehat Hyseni ka thënë se rëndësia e kësaj liste nuk lidhet vetëm me paraqitjen e tetë partive nën një emër të përbashkët, por edhe me shmangien e shpërndarjes së votës shqiptare.

“Prandaj, rëndësia e listës së përbashkët nuk qëndron vetëm në faktin se 8 partitë do të paraqiten nën një emër të përbashkët. Rëndësia e saj qëndron në mundësinë që vota shqiptare të mos shpërndahet në mënyrë të panevojshme ndërmjet disa garuesve që synojnë të njëjtin elektorat.

Një listë e përbashkët nuk do të thotë automatikisht më shumë deputetë. Përfaqësimi parlamentar varet nga numri i votave të marra, statusi juridik i listës, mënyra e shpërndarjes së mandateve dhe renditja e kandidatëve në listë.

Nëse pas zgjedhjeve deputetët shqiptarë veprojnë të koordinuar për çështjet themelore të Luginës, atëherë marrëveshja mund të marrë një dimension më të gjerë institucional”, ka thënë ai.

Hyseni ka përmendur edhe çështjet kryesore me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës, duke theksuar nevojën për koordinim rreth objektivave strategjike.

“Mirëpo, në një hapësirë ku komuniteti shqiptar përballet me një sërë çështjesh dhe sfidash të përbashkëta – përfaqësimin institucional, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, arsimin, njohjen e diplomave, zhvillimin ekonomik, të drejtat politike dhe problemet demografike – ekziston edhe nevoja dhe domosdoshmëria për koordinim rreth objektivave strategjike.

“Nëse marrëveshja ekziston vetëm deri në ditën e zgjedhjeve, ajo do të jetë kryesisht një koalicion elektoral. Nëse ajo vazhdon pas zgjedhjeve, me platformë të përbashkët, koordinim të deputetëve dhe mekanizma të përbashkët për mbrojtjen e interesave të qytetarëve, atëherë mund të marrë karakter më të qëndrueshëm politik.

Zgjedhjet e 25 tetorit duhet të shihen, pra, jo vetëm si një garë për mandate parlamentare, por edhe si një test i pjekurisë politike të subjekteve shqiptare.

Megjithatë, marrëveshja e 29 shtatorit mund të jetë një pikënisje e rëndësishme për një fazë të re të bashkëpunimit politik shqiptar në Luginën e Preshevës”, ka përfunduar Hyseni për “Bota sot”.

Të Ngjashme