Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook ka thënë se mirëpret aksionin e Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorisë ndak grupit të organizuar kriminal, që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës në rajonin e Prishtinës.
Sveçla shkruan se ky aksion dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe hetimeve profesionale në luftimin e krimit të organizuar.
Postimi i plotë:
Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorisë, që rezultoi me goditjen e grupit të organizuar kriminal që mirrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës në rajonin e Prishtinës.
Operacioni i koduar “Heshtja”, përmes të cilit u arrestuan gjashtë persona të dyshuar dhe u sekuestruan rreth 1.6 kilogramë kokainë, substanca të tjera narkotike, përfshirë marihuanë dhe ekstazi, si dhe asete në vlerë të përgjithshme prej rreth 301 mijë eurosh, dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe hetimeve profesionale në luftimin e krimit të organizuar.
Beteja jonë përballë kësaj dukurie, e cila prek të gjithë shoqërinë tonë e veçanërisht të rinjtë, është e vazhdueshme, e pandalshme dhe e pakompromis.
Si institucione të Republikës së Kosovës, do të vazhdojmë të mbështesim dhe fuqizojmë veprimet e institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit, me qëllimin për të goditur grupet kriminale në çdo nivel të organizimit të tyre.
