Lajme

Pas Bashës nuk vonon as Berisha, dërgon në GJK marrëveshjen për emigrantët me Italinë

30 deputetë të opozitës, të cilët janë të pozicionuar krah Sali Berishës kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese marrvëshjen për emigrantët me Italinë.

Ata kërkojnë të pëzullohet procedura, për shkak se marrëveshja është bërë pa dijeninë dhe dakortësinë e presidentit të Republikës.

Më herët edhe Partia Demokratike zyrtare ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për emigrantët. Në një deklaratë për media nënkryetari Kreshnik Çollaku tha se marrëveshja u bë me dije në një mënyrë të çuditshme dhe që krijoi debat të madh në publik.

“Marrëveshja u shpall në një mënyrë të çuditshme, zgjoi një reagim të logjikshëm shqetësimi, ka qenë objekt i thellë diskutimi debati publik në vend dhe Itali. Në dallim nga trajtimi i marrëveshjes në Itali, në Shqipëri ka munguar transparenca nga kryeministri. Rama ja ka dalë të fshihet herë duke përdorur kaosin parlamentar, duke shmangur debatin publik”, tha Çollaku.

Kujtojmë që ditën e djeshme Këshilli i Ministrave në Itali i dha dritën jeshile marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve.

Kryeministri Edi Rama ishte për një vizitë në Romë, ku gjatë konferencës me kryeministren e Italisë Georgia Melonin dhanë edhe lajmin për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët e paligjshëm.

Në marrëveshje thuhet se në Shqipëri do të ngrihen dy qendra pritëse në Gjadër dhe Lezhë. Sipas marrëveshjes emigrantët që do të shpëtohen në Detin Mesdhe do të strehohen në Shqipëri, ndërsa Italia do të financojë ngritjen e qendrave për pritjen e tyre në vendin tonë.

Numri i emigrantëve që do të strehohen në Shqipëri pritet të arrijë deri në 39 mijë në vit, ndërsa nuk do lejohet që të strehohen më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj në vend, më pas do largohet një pjesë për të sjellë të tjerë. Kjo marrëveshje mund të zgjasë për 5 vite, por ka mundësi rinovimi dhe për 5 vite të tjera.

Në marrëveshje thuhet qartë se për çdo emigrant që do të jetë i sëmurë apo do të ketë nevojë trajtime do të jetë pala italiane ajo që do paguajë gjithçka. Sakaq, pala shqiptare do të sigurojnë ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në perimetrin e jashtëm të zonave dhe gjatë transportit tokësor drejt dhe nga të njëjtat zona, që kryhet në territorin shqiptar.