Orinda Huta ka reaguar në rrjetet sociale pas diskutimeve që shkaktoi qëndrimi i saj për martesën dhe divorcin gjatë puntatës së fundit të emisionit “Goca dhe Gra” në Top Channel.
Moderatorja, e cila ishte pjesë e debatit mbi marrëdhëniet në çift në kuadër të ngjarjeve të fundit që kanë përfshirë disa personazhe të njohur, ka vendosur të sqarojë publikisht qëndrimin e saj.
Përmes një postimi në Instagram Story, Orinda theksoi se nuk e konsideron divorcin si zgjidhjen e parë kur një çift përballet me vështirësi, por kjo nuk do të thotë se një martesë duhet ruajtur me çdo kusht.
“Unë nuk jam pro divorcit si zgjidhje të parë. Besoj se të rinjtë sot duhet ta marrin më seriozisht martesën dhe angazhimin që ajo kërkon”, shkroi moderatorja.
Sipas saj, çdo marrëdhënie kalon periudha të vështira, të cilat kërkojnë durim dhe përkushtim nga të dy partnerët.
“Një marrëdhënie nuk është vijë e drejtë. Ka kriza, vështirësi dhe momente që kërkojnë durim, përkushtim dhe përpjekje nga të dyja palët. Nuk mund të heqim dorë sa herë gjërat bëhen të vështira”, vijoi ajo.
Megjithatë, Orinda bëri një dallim të qartë mes përpjekjes për të shpëtuar një martesë dhe pranimit të një marrëdhënieje ku mungon respekti.
“Por të luftosh për martesën nuk do të thotë të pranosh mungesën e respektit apo të sakrifikosh dinjitetin”, përfundoi Huta.

