ShowBizzz

Pas ironisë me protestën në “Portokalli”, zbulohet posti shtetëror që mban vajza e Agron Llakajt

Rikthimi i Agron Llakajt në “Portokalli” është shoqëruar me reagime pas një pjese humoristike që trajtonte protestat, ndërsa tashmë në rrjet po qarkullon edhe një tjetër informacion që lidhet me familjen e aktorit.

Bëhet fjalë për vajzën e tij, Alkida Llakaj, e cila mban një pozicion drejtues në administratën shtetërore. Sipas informacionit të publikuar, ajo është Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, institucion në varësi të ministrisë përgjegjëse për ekonominë.

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë është institucioni që mbulon sistemin e matjeve në vend, përfshirë kontrollin dhe verifikimin e instrumenteve matëse dhe mbikëqyrjen metrologjike.

Një tjetër element që është rikthyer në vëmendje është fakti se Alkida Llakaj figuron edhe mes fituesve për pranimin në Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues (TND), pjesë e sistemit të administratës së lartë shtetërore.

Këto të dhëna po përdoren në rrjet për të ngritur pikëpyetje mbi zgjedhjen e “Portokallisë” për ta trajtuar protestën përmes humorit dhe mbi qëndrimin e Agron Llakajt ndaj saj.

Debati vjen menjëherë pas rikthimit të Agron Llakajt në drejtimin e “Portokalli”, ndërsa mbetet për t’u parë nëse aktori do t’u përgjigjet kritikave që kanë nisur të qarkullojnë pas trajtimit që programi i bëri protestës.

Të Ngjashme