Lajme

Pas pezullimit të punës, Oda e Inxhinierëve siguron mbi 130 mijë euro mbështetje nga ministria

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka ndarë 130,054 euro për mbështetjen e funksionimit të Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Fitore Pacolli, e cila ka njoftuar se sot është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit me kryetarin e Odës, Arsim Rapuca.

“Sot nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit me kryetarin e Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, Arsim Rapuca, për mbështetjen financiare të funksionimit të saj”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Sipas saj, mbështetja financiare synon forcimin e kapaciteteve të Odës dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj ligjore.

Pacolli ka theksuar se ministria ka krijuar një qasje të re në bashkëpunimin me odat profesionale, me qëllim zhvillimin e sektorit të ndërtimit dhe ngritjen e standardeve profesionale.

“Ne kemi krijuar një qasje krejt të re me odat profesionale, sepse besojmë se zhvillimi i sektorit të ndërtimit dhe ngritja e standardeve profesionale kërkojnë bashkëpunim të vazhdueshëm me profesionistët e fushës”, ka deklaruar ajo.

Nënshkrimi i memorandumit vjen një ditë pasi Oda e Inxhinierëve njoftoi pezullimin e punës dhe shërbimeve administrative, duke përmendur mungesën e financimit dhe mosrealizimin e pagave të stafit që nga korriku.

Oda kishte paralajmëruar se mungesa e mjeteve financiare rrezikonte vazhdimësinë e disa shërbimeve, përfshirë lëshimin e licencave profesionale dhe funksionimin e shërbimeve elektronike.

Ende nuk është bërë e ditur se kur do të disbursohen mjetet dhe nëse Oda do t’i rifillojë menjëherë shërbimet e pezulluara.

Të Ngjashme