Pas propozimit në emision, Kushtrimi shkon për t’ia kërkuar dorën Aurorës sipas traditës
Vetëm një ditë pas propozimit për martesë që mori vëmendje në ekran, Aurora Rrusta dhe Kushtrim Kelani kanë bërë edhe një tjetër hap drejt dasmës së tyre.
Në ditëlindjen e 23-të të Aurorës, Kushtrimi ka shkuar sot së bashku me familjarët për t’ia kërkuar dorën partneres së tij, sipas traditës shqiptare. Aurora ka ndarë pamje nga momenti në Instagram, duke shkruar: “Siç e do tradita”, krahas datës 08.09.2026.
Ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi Kushtrimi e surprizoi Aurorën gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “Ora 7” në Klan Kosova. Teksa ajo po prezantonte parashikimin e motit, ai u shfaq në studio me unazë dhe i kërkoi të martohej me të, ndërsa Aurora iu përgjigj pozitivisht. Kushtrimi tregoi se kishte zgjedhur pikërisht Klan Kosovën për propozimin, pasi historia e tyre kishte nisur aty.
Aurora dhe Kushtrimi u njohën gjatë “Big Brother VIP Kosova 4”, ku nisi edhe afrimiteti mes tyre, ndërsa lidhjen e vazhduan edhe jashtë shtëpisë. Prive By Liberta Spahiu kishte raportuar më herët se çifti po përgatitet për martesë dhe se dasma pritet të mbahet në fillim të muajit tetor, me organizim sipas traditave shqiptare.
Tashmë, pas propozimit dhe ceremonisë familjare të sotme, numërimi mbrapsht për ditën e dasmës ka nisur zyrtarisht.
