Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut protestuan sot në Shkup kundër aktgjykimit dënues të Gjykatës Sepciale në Hagë ndaj katër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas protestës në Shkup, Ahmeti: Zëri i mijëra qytetarëve – një drejtësi për çlirimtarët
Një nga themeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim publikoi në Facebook fotografi nga kjo protestë.
“Sot në Shkup, njëjtë si në Prishtinë dhe në qytete të tjera, u mbajtën marshime paqësore e protestuese në mbështetje të çlirimtarëve dhe me një kërkesë të qartë: Liri për çlirimtarët! Liri për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, shkroi ai.
Ahmeti tha se ata që luftuan për lirinë e Kosovës nuk mund të gjykohen mbi akuza të fabrikuara dhe narrativave të ndërtuara nga Beogradi e Moska.
“Drejtësia duhet të mbështetet në të vërtetën, në fakte dhe në një proces të drejtë. Sot, zëri i mijëra qytetarëve nga Shkupi, Prishtina dhe qytetet tona ishte një: drejtësi për çlirimtarët dhe liri për ata që luftuan për lirinë tonë”, shkroi Ahmeti.
