Ish-kryeministri, Sali Berisha foli sot nga ballkoni i apartamentit në Tiranë për mbështetësit e tij demokratë, të cilët u mblodhën poshtë shtëpisë së tij.
Berisha ndodhet i izoluar në apartament në masën “arrest shtëpie”, pasi është në hetim për korrupsion pasiv nga funksionarë të lartë, vepër penale e kryer në bashkëpunim.
Gjatë fjalës nga ballkoni, ish-kryeministri, teksa falenderoi mbështetësit që nuk e kanë braktisur në këto ditë të vështira, komentoi seancën e parë të sesionit paralamentar që u zhvillua sot në orën 17:00 në Kuvend nën kaos dhe rrëmujë të shkaktuar nga deputetët e opozitës.
Berisha tha se sot ishte një ditë beteje në parlament. Sipas ish-kryeministrit, sot opozita është më në këmbë se kurrë, e gatshme për çdo betejë pa kthim, gjerë në fitore.
Fjala e Sali Berishës nga ballkoni i apartamentit
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta! Miqtë e mi, përulem me nderimin më të thellë para jush qëndrestarë të pamposhtur në ditët e vështira për këtë vend. Shqipëria sot është e gjunjëzuar. Por ajo nuk është e rrëzuar përdhe dhe kjo vetëm për një moment, sepse ju në emër të saj, jeni këtu çdo natë, të pamposhtur dhe në këmbë.
Jeni këtu për t’i dëshmuar Shqipërisë se ajo nuk do të rrëzohet përdhe kurrë! Jeni këtu për t’u bërë thirrje shqiptarëve të ngrihen sepse Shqipëria që ju përfaqësoni, është Shqipëria që do fitojë, është Shqipëria që do ngrihet!
Le të bëjmë pak së bashku një udhëtim në memorien tonë dhe të kujtojmë se pak vite më parë, vendi ynë i gjunjëzuar ishte Shqipëria e fitores.
Liberalizoheshin vizat, integrohej në NATO, priste me dinjitet presidentin e SHBA, merrte rekomandimin për statusin e vendit kandidat. Nga Tirana, shpallej pavarësia e Kosovës. Shqipëria bëhej çdo ditë një vend më i pëlqyer, më i dashur për shqiptarët, më i respektuar në rajon, në Europë dhe në botë. Shqipëria bëhej vendi në të cilin popullata rritej nga viti në vit. Dhe po kështu dashuria, shpresa dhe besimi i shqiptarëve rritej nga viti në vit.
Por përsëri, me qëndresën tuaj, me guximin tuaj, kam bindjen absolute se Shqipëria falë jush, falë të rinjve të këtij vendi, falë luftëtarëve, falë misionarëve që mblidhen çdo natë në këtë rrugë, rrezatojnë shpresë në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, përsëri ajo do jetë në këmbë. Përsëri ajo do jetë Shqipëria e fitoreve.
Luani i fjetur i shqiptarëve po zgjohet çdo ditë e më shumë. Autokracinë, diktaturën e bandave, krimit dhe drogës e pret fundi i merituar.
Miqtë e mi, sot ishte një ditë beteje në parlament. Një ditë beteje këtu në Rrugën e Shpresës.
Opozita, e cila qe parashikuar të mos ekzistonte, të ishte thjesht një stoli e armikut më të egër të qenies së shqiptarëve, regjimit të Edi Ramës, sot është më në këmbë se kurrë. Opozita kaloi, mbijetoi skenarë nga më antidemokratikët, më antishqiptarët, por e veshur me idealet më fisnike të popullit opozitar, ajo është sot këtu në këmbë, e gatshme për çdo betejë pa kthim, gjer në fitore.
Në seancën e sotme plenare u betua Plarent Ndreca. Juristi i njohur iu bashkua “ekipit” të mazhorancës socialiste duke marrë mandatin e deputetit Arben Ahmetaj, në kushtet kur ky i fundit ndodhet në arrati prej më shumë se gjashtë muajsh dhe për rrjedhojë nuk mund ta gëzojë me postin.
Sot u votua dhe dekreti i presidentit Bajram Begaj për emërimin e Blendi Gonxhes në krye të një ministrie të re, përgjegjëse për tre sektorë, për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, shkruan neësbomb.al.
Po ashtu, në seancën e sotme u votua dhe emërimi i Adea Pirdeni në krye të Ministrisë së Antikorrupsionit.
Seanca e parë plenare e këtij sesioni të ri parlamentar për vitin 2024 ka zgjatur vetëm 15 minuta dhe pas thirrjeve të vazhueshme të kryetares Lindita Nikolla, është mbyllur.
Sot ishte vendosur që presidenti Bajram Begaj t’i drejtohej popullit dhe vetë deputetëve, por kjo ka dështuar për shkak të kaosit të opozitës.
Në sallë kanë qenë dhe përfaësuesit e trupit diplomatik, të cilët kanë ndjekur të gjithë situatën nga lozhat e sallës së Kuvendit të Shqipërisë.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo