ShowBizzz

Pas skandalit të bamirësisë, Chiara Ferragni ndërmerr një veprim për ringritje

Këtë javë në faqet e internetit të Chiara Ferragni është hapur një seksion i ri me titull “Aktivitete Bamirësie”. Këtë e bëri të ditur vetë sipërmarrësja përmes një statusi në Instagram: “Shoqëritë TBS Crew Srl dhe Fenice Srl (dy shoqëritë e përfshira në procedurën e Agcom për praktika të padrejta tregtare në bashkëpunimin me Dolci Preziosi për shitjen e vezëve të Pashkëve, të firmosura nga Chiara Ferragni) njoftojnë se kanë krijuar, në faqet përkatëse të internetit www.theblondesalad.com dhe www.chiaraferragnibrand.com, një seksion informativ ‘Aktivitete Bamirësie’, i dedikuar ekskluzivisht për të thelluar detajet e të gjitha iniciativave me qëllime bamirësie që ato mund të zhvillojnë”, thuhet në deklaratë. “Ky seksion do të përditësohet me informacionet e marra nga subjektet përfituese mbi ecurinë dhe rezultatet e arritura me ato iniciativa.”

Sipërmarrësja gjithashtu njoftoi se më 28 gusht, bëri pagesën e parë prej 400 mijë eurosh nga tre pagesat e planifikuara për ndërmarrjen sociale “I Bambini delle Fate”, e cila ishte adresuar nga iniciativa bamirëse në bashkëpunim me Dolci Preziosi. Më 4 korrik, Agcom mbylli hetimin, i hapur në janar, për të vërtetuar që informacionet me të cilat janë reklamuar dhe shitur vezët e Pashkëve të firmosura nga Chiara Ferragni për vitet 2021 dhe 2022, nuk i kanë mashtruar konsumatorët duke i bërë të mendojnë se, me blerjen e tyre, kanë kontribuar në një donacion për “I Bambini delle Fate”.

Agcom përfundoi çështjen duke pranuar një sërë angazhimesh të nënshkruara nga shoqëritë e Chiara Ferragni, të cilat duhet të dhurojnë, gjatë tre viteve fiskale, të paktën 1.2 milionë euro për “I Bambini delle Fate”. Për më tepër, shoqëritë janë angazhuar të garantojnë “ndarjen e plotë të operacioneve tregtare të shoqërisë nga aktivitetet bamirëse, të cilat do të vazhdojnë të kryhen”, siç kishte shpjeguar Chiara Ferragni në Instagram, duke njoftuar vendosjen e rregullave të reja të brendshme për aktivitetet e komunikimit dhe marketingut.

Gjithashtu, është mbyllur çështja e “Pink Christmas”, e lançuar për Krishtlindjet e vitit 2022 në bashkëpunim me Balocco, për të cilën, shoqëritë TBS Crew Srl dhe Fenice Srl u gjobitën me një milion euro për mashtrim: konsumatorët ishin mashtruar duke menduar se, me blerjen e ëmbëlsirës, po kontribuonin në një donacion për spitalin Regina Margherita të Torinos (për blerjen e një pajisjeje për fëmijët me kancer). Më 4 korrik, avokatët e Chiara Ferragni dorëzuan heqjen dorë nga ankimimi kundër gjobës.