Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar nisjen e një aksioni të jashtëzakonshëm inspektimesh në të gjithë territorin e Kosovës, me fokus të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë.
Ky vendim vjen pas vdekjes së një punëtori 59-vjeçar në Ferizaj, që shënon rastin e shtatë të vdekjeve në vendin e punës gjatë këtij viti.
Hoti theksoi se gjendja aktuale është alarmante dhe nuk mund të tolerohet më.
“Kjo gjendje nuk mund të injorohet më. Kam marrë vendim të menjëhershëm dhe të qartë. Në të gjithë territorin e Kosovës do të fillojë aksion i jashtëzakonshëm i inspektimeve në sektorët me rrezikshmëri të lartë, veçanërisht në ndërtimtari. Çdo kompani që nuk garanton kushte bazike të sigurisë do të përballet me ndalim të menjëhershëm të punimeve dhe ndëshkime sipas ligjit”, ka deklaruar Hoti.
Ai bëri të ditur se inspektimet do të zhvillohen në dy ndërrime, me orar të zgjatur dhe edhe gjatë festave, ndërsa aksioni do të zgjasë 15 ditë.
“Siguria nuk është opsion, është detyrim ligjor. Mbi çdo biznes dhe çdo fitim është jeta e qytetarit”, u shpreh ai.
Ministri paralajmëroi gjithashtu masa shtesë në muajt në vijim, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve të inspektimit dhe përdorimin e teknologjive moderne si kamera trupore dhe dronë për monitorim në terren.
Ai u bëri thirrje kompanive që të mos e shohin sigurinë në punë si kosto shtesë, ndërsa qytetarëve u kërkoi të raportojnë çdo shkelje.
Sipas vendimit, Inspektorati i Punës do të publikojë çdo 48 orë të dhëna për numrin e inspektimeve dhe masave të ndërmarra, ndërsa do të krijohet edhe një task-forcë e përkohshme ndërinstitucionale për sigurinë dhe shëndetin në punë në sektorin e ndërtimtarisë, ku do të përfshihen Policia e Kosovës dhe institucionet relevante.
