Lajme

PD: Ja përse votimi elektronik mund të rrezikojë integritetin e zgjedhjeve

Në një përgjigje zyrtare ndaj një kërkese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Partia Demokratike ka bërë të ditur qëndrimin e saj kundër shtrirjes së votimit elektronik në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Dokumenti i publikuar nga PD përmban argumente të forta, të cilat vënë në pah problemet që kanë karakterizuar implementimin e pjesshëm të kësaj teknologjie në zgjedhjet e kaluara dhe rreziqet që ajo përfaqëson për një proces zgjedhor të drejtë e të ndershëm.

Partia Demokratike thekson se votimi dhe numërimi elektronik është një projekt i propozuar fillimisht prej saj që në vitin 2012. Sipas dokumentit, kjo nismë, edhe pse pati miratim të gjerë në Komisionin e Reformës Zgjedhore të asaj kohe, u pengua nga Partia Socialiste, e cila atëherë ishte në opozitë. PD thekson se në platformën e saj të vitit 2016, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, vendosi përsëri prioritet votimin elektronik, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e procesit zgjedhor dhe arritjen e standardeve ndërkombëtare.

Megjithatë, përpjekjet për zbatimin e plotë të votimit elektronik nuk u realizuan as në zgjedhjet e vitit 2021 dhe as në ato të vitit 2023, ku teknologjia u përdor vetëm në disa njësi administrative si Njësia Nr. 10 në Tiranë, si dhe në Bashkitë Elbasan dhe Kamëz. PD argumenton se, ndonëse votimi elektronik solli disa avantazhe, ai po ashtu u shoqërua me një sërë problematikash që cenonin rëndë integritetin e procesit.

Sipas dokumentit të publikuar nga PD, një nga problemet më të mëdha të votimit elektronik ishte manipulimi i procesit nga operatorët e sistemit. Në disa raste, operatorët e makinerive të votimit kanë votuar në emër të qytetarëve që nuk ishin fizikisht të pranishëm, duke shkelur ligjin dhe duke kryer veprime të dënueshme sipas Kodit Zgjedhor. Pamjet filmike që dëshmojnë këto shkelje, sipas PD, ende nuk janë hetuar nga KQZ-ja apo organet e drejtësisë, duke lënë të paadresuara shqetësimet mbi këtë çështje të rëndësishme.

Një tjetër problem i rëndësishëm i evidentuar nga PD është mungesa e garancive për verifikimin dhe anulimin e votës nga zgjedhësit. Mekanizmat për të garantuar transparencë dhe verifikim të thelluar të votës kanë qenë të pamjaftueshëm, duke minuar kështu besimin e publikut dhe partive politike në këtë proces.

Në përgjigjen e saj zyrtare, PD argumenton se votimi elektronik nuk duhet të shtrihet në zgjedhjet e vitit 2025, duke përmendur si arsye kryesore mungesën e transparencës për çështjet e pazgjidhura të zgjedhjeve të mëparshme dhe kohën e pamjaftueshme për të përmirësuar sistemin. Partia Demokratike thekson se pa një adresim të plotë dhe të drejtë të problematikave të identifikuara, zbatimi i votimit elektronik rrezikon të minojë më tej besimin e publikut në zgjedhje

“Ende nuk është bërë një transparencë e plotë lidhur me problematikat që kanë karakterizuar këtë proces në dy zgjedhjet e mëparshme,” thuhet në dokument, duke shtuar se mekanizmat efikasë për adresimin e problemeve mungojnë, ndërsa presioni i kohës për zgjedhjet e vitit 2025 është i madh.

Për këtë arsye, PD shpreh mosdakordësinë e saj për propozimin e KQZ-së për implementimin e votimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.