Lajme

PD kërkoi shkarkimin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari, KQZ: Nuk ka shkak

Kreu i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari do të vazhdojë detyrën e tij, pasi KQZ ka vendosur të mos e shkarkojë.

Gjatë seancës kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha nuk ka një shkak ligjor që Hajdarit t’i ndërpritet mandati.

“Detyrimi i subjekteve është të deklarojë shkaqet. Nëse mungojnë shkaqet nuk ka asnjë detyrim që të deklarojë. Subjekti vetëdeklarues ka paraqitur disa të dhëna në formular. Ai nuk ka paraqitur një të dhënë, ku vendimi është penal në territorin grek. Rëndësi ka fakti që kjo e dhënë nuk e përfshin në kushtet e ndalimit. Ngelet diskutimi që ai nuk e ka deklaruar, por ka pasur detyrimin që ta deklarojë. Por vlen të theskohet se nuk ka një shkak ligjor që Hajdarit t’i ndërpritet mandati, “ tha Celibashi.

Në seancë, Theodhori Sollaku, avokati i i kreut të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari u shpreh se nuk ka shkak për ndërprerje mandati. Sipas avokatit, klienti i tij është dënuar për shkelje kufiri kur ka qenë i mitur.

“Nuk ka shkak për ndërprerje mandati. Në Greqi u dënua për shkelje kufiri kur ishte i mitur dhe kjo gjë nuk hyn tek veprat e ndaluara. Ai është dënuar për shkelje kufiri kur ishte i mitur. Hajdari ishte në moshën 16 vjeç është kapur nga autoritetet greke për kalim të paligjshëm të kufirit. Është bërë një procedurë që nuk dihet nëse ka qenë penale apo administrative,” tha Theodhori Sollaku.

Ndërkohë, avokati i Sali Berishës, Franc Nuri ka kundërshtuar këtë deklaratë, pasi sipas tij Kreshnik Hajdari ka bërë shkelje, pasi nuk ka deklaruar dënimin në formular. Ai theksoi se pak rëndësi ka sa është masa e dënimit, por rëndësi ka nëse është deklaruar ose jo.

“Pak rëndësi ka masa e dënimit, por rëndësi ka nëse është deklaruar ose jo. Vendimi është i formës së prerë, por nuk është pasqyruar në formular. A është i dënuar zotëria me vendim të formës së prerë? Prokuroria e Përgjithshme thotë po. A e ka deklaruar në formular?

Përgjigja është jo. Çfarë parashikon ligji dhe vendimi i Kuvendit? Parashikon ndërprerje të menjëhershme të mandatit, qoftë edhe një vendim administrativ. Vendimi nuk është deklaruar, pra është fshehur,” tha Franc Nuri.

Kujtojmë se drejtësia greke ka konfirmuar se kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, ka qenë i dënuar, përmes një shkrese dorëzuar me letër-porosi ministrisë sonë të Drejtësisë.

Prokuroria njoftoi KQZ se Hajdari është i dënuar nga shteti grek me dënim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë. Hajdari është dënuar me 4 muaj burg, dënim i cili është konvertuar në gjobë me vlerën e 1500 dhrahmive, vendim i marrë më 23 qershor të vitit 1999.

Hajdari, mesa duket gjatë momenteve të vështira që po kalonte vendin, si shumë shqiptarë të tjerë ka tentuar të emigrojë ilegalisht në Greqi, por është kapur dhe dënuar nga gjykata në Janinë, në atë kohë së bashku me 18 persona të tjerë.

Kujtojmë që në zgjedhjet vendore të 14 majit, fitues në këtë bashki rezultoi kandidati i Partisë Socialiste, Kreshnik Hajdari, me 49.79% të votave.