Moskonstituimi i institucioneve qendrore po prek drejtpërdrejt komunat dhe qytetarët, ka deklaruar shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së në Ferizaj, Arian Imeri, gjatë aksionit të kësaj partie dhe Aleancës para ndërtesës së Qeverisë.
Ai ka kërkuar që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje për formimin e institucioneve, duke ngritur shqetësimin edhe për pasigurinë juridike në raportet mes nivelit qendror dhe atij lokal.
Imeri: Bllokada institucionale po prek drejtpërdrejt komunat
“Prandaj duke u nisur nga këto rrethana, në emër të gjithë përfaqësuesve prezentë i bëjmë thirrje mazhorancës politike që ta ndalë bllokadën, t’i formojë sa më shpejt institucionet dhe t’i kthehet nga problemet reale me të cilat përballen komunat dhe qytetarët tanë. Kosova dhe rajoni ynë nuk ka kohë për të humbur, qytetarët e kanë kryer atë obligimin e vet qytetar në rastin kur kanë dalë në zgjedhje, e kanë bërë zgjedhjen e tyre, prandaj tash meritojnë një qeverisje të mirë, një qeverisje të përgjegjshme dhe jo vazhdimësi të bllokadave”, tha ai.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i Aleancës dega në Ferizaj, Alberton Sahiti, i cili ka veçuar Komunën e Ferizajt si një prej komunave që po përballet me pasoja nga mungesa e funksionimit dhe mbështetjes nga institucionet qendrore.
Ai ka kërkuar nga Kurti që të mos vazhdojë, siç u shpreh, bllokimin e institucioneve lokale.
Sahiti: Kurti nuk ka bllokuar vetëm institucionet, por edhe komunat
“Sot ky pushtet, ky njeri nuk e ka bllokuar vetëm institucionet e Kosovës, mirëpo ky person që është në skenën politike ka bllokuar edhe komunat. Ju e dini të gjithë se do të ketë disa probleme, me çfarë sfidash po përballen edhe komunat e Kosovës e sidomos komuna e Ferizajt, që mendoj që është një nga ato komunat që është prekur më së shumti nga mospërputhja dhe mosrealizimi i këtij funksionimi të mirëfilltë të kësaj apo mospërkrahjes të kësaj qeverie. Kurrë më shumë se sot edhe ne nuk i bëjmë thirrje këtij personi, këtij individi që të thërrasë mendjes e të vazhdojë të mos bllokojë vetëm institucionet e qeverisë, por me të vërtetë të mos bllokojë edhe komunat.”, ka deklaruar Sahiti.
Në kuadër të aksionit të PDK-së dhe Aleancës para ndërtesës së Qeverisë, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka kritikuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke e akuzuar për bllokim institucional dhe duke i bërë thirrje që të kthehet në Kuvend.
Reçica ka thënë se situata aktuale është shqetësuese, veçanërisht për qytetarët dhe fëmijët, të cilët, sipas tij, kanë nevojë për institucione funksionale.
Reçica: Kurti të kthehet në Kuvend, PDK-ja ia jep votat për kryetarin dhe nënkryetarin
“Prandaj i bëj ftesë deputetit Albin Kurti, gjithashtu vandalit politik, që t’i ndalë këto vandalizma, të kthehet në parlament, nëse i ka 61 vota ta zgjedhë qeverinë, për t’ia votuar kryetarin dhe nënkryetarin e kuvendit do t’ia votojmë ne, ia japim votat edhe ne, edhe Aleanca, dhe të fillojë së funksionuari pushteti. Përndryshe, në këto kushte, në këto rrethana, në këto momente, kur Kosova pret, kur Kosova pret ata të cilët e kanë krijuar këtë realitet, kur e kanë shpallur pavarësinë e këtij vendi, kur e kanë bërë këtë vend shumë të rëndësishëm për të gjithë ne, ai krijon kriza. Sepse duke krijuar kriza, ai menaxhon situata për të keq të vendit. Prandaj i bëj ftesë le të kthehet në kuvend, sepse mund të bëhet vonë për këtë vend dhe për të gjithë ata që janë që bëhen pengesë për ecjen përpara të këtij vendi”, është shprehur Reçica.
PDK-ja tash e më shumë se dy javë po zhvillon aksione para ndërtesës së Qeverisë, duke kundërshtuar vazhdimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit nga Albin Kurti dhe duke kërkuar funksionalizimin e institucioneve.
Gjatë ditëve të ndryshme këtij aksioni i janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, si dhe përfaqësues lokalë të PDK-së nga komuna të ndryshme të Kosovës.
