Lajme

PDK-ja i kërkon presidentes Shiroka-Pula ta kthejë në Kuvend Ligjin për Specialen

Partia Demokratike e Kosovës kërkon rishqyrtimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke insistuar se synimi është përmirësimi i dispozitave dhe hyrja e tij në fuqi pa vonesa të panevojshme.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka kërkuar zyrtarisht presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, që ta rikthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në një kumtesë, PDK-ja ka bërë të ditur se kërkesa vjen pas konsultimeve të gjera, me qëllim të plotësimit të disa dispozitave dhe forcimit të sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

“Pas konsultimeve të gjera, PDK-ja vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në komunikatë.

Partia ka theksuar se është krenare për nismën ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë, duke ritheksuar se mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe e ish-pjesëtarëve të saj në Hagë mbetet përgjegjësi e panegociueshme.

Sipas PDK-së, ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij, ndërsa rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij.

PDK-ja ka sqaruar se kërkesa është për rikthimin e ligjit në Kuvend, e jo në Qeveri, dhe as për nisjen e procesit nga e para. Sipas saj, ky proces duhet të shërbejë për finalizimin dhe hyrjen e ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme.

Në këtë drejtim, partia ka ftuar ekspertët që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar, përfshirë Avokatin e Popullit, që të paraqesin propozimet e tyre konkrete.

“Presim që, ashtu siç e miratuam më 6 tetor 2026, ta miratojmë sërish brenda pak javësh, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë ligj dhe që do të kontribuojnë në finalizimin e tij”, thuhet në komunikatë.

PDK-ja ka bërë të ditur se paralelisht do të vazhdojë angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore për apelin, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen në Hagë. Sipas saj, mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhet të ecin paralelisht.

Në fund, partia ka theksuar se gatishmëria për përmirësimin e ligjit nuk nënkupton tërheqje nga nisma, duke këmbëngulur se nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi.

“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi. Qëndrojmë prapa nismës sonë, kërkesës qytetare dhe zotimit për të mos i lënë vetëm çlirimtarët tanë”, përfundon komunikata e Grupit Parlamentar të PDK-së.

Të Ngjashme