Lajme

Abdixhiku për kërkesën e PDK-së për rishqyrtim të Ligjit për Specialen: Baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, reagoi pas kërkesës së grupit parlamentar të PDK-së drejtuar presidentes Justina Shiroka-Pula për rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?

Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!

LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës.

Mbështetësve tanë u themi qëndroni gjithmonë krenarë! Mund të na sulmojnë nga të gjitha anët, por qëndrimet e LDK-së i kanë qëndruar provës së historisë. Do t’i qëndrojnë sërish! Sepse ato nuk përcaktohen nga vërshimet e momentit, por nga bindjet mbi Republikën. Veç duhet kohë.

Lufta e UÇK-së është e shenjtë.

Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu!”, shkroi në Facebook, Abdixhiku.

Të Ngjashme