Ministria e Jashtme e Kinës nuk pranoi të komentojë vdekjen e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny , duke thënë se është “çështje e brendshme e Rusisë”.
“Është një çështje e brendshme e Rusisë. Nuk do të komentoj për të”, tha një zëdhënës i pyetur për këtë çështje nga AFP.
Pekini dhe Moska janë vende aleate dhe kanë forcuar lidhjet e tyre në një kohë kur vendet perëndimore i kanë kthyer shpinën Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
Udhëheqësit e dy vendeve kanë gjithashtu një marrëdhënie shumë të mirë personale. Presidenti kinez Xi Jinping e ka përshkruar presidentin rus Vladimir Putin si një “mik të mirë” .
Zëdhënësja e politikanit opozitar rus, Alexei Navalny, konfirmoi sot vdekjen e kritikut më të madh të presidentit rus Vladimir Putin. Alexei Navalny ndërroi jetë në moshën 47-vjeçare dje 16 shkurt në një burg në Rusi.
Ndarja nga jeta e udhëheqësit më të rëndësishëm të opozitës ruse është pritur me hidhërim nga të afërm të tij por edhe nga zyrtarë perëndimorë. Liderët Perëndimorë kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Navalny.
“Alexei Navalny luftoi për vlerat e lirisë dhe demokracisë. Për idealet e tij ai bëri sakrificën përfundimtare”, thotë Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në një postim në Platformën X, në të cilin thekson se “ për BE-në regjimi rus është përgjegjësi i vetëm për vdekjen tragjike të kundërshtarit të Putinit”.
Në përfundim të postimit Charles Michel shkruan “luftëtarët vdesin, por lufta për liri nuk mbaron kurrë”.
Nga ana e tij Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s , thotë se është “i pikëlluar dhe i shqetësuar nga lajmet e trishta që vijnë nga Rusia”.
“Navalny pagoi me jetën e tij rezistencën ndaj një sistemi shtypjeje. Vdekja e Navalnyt në burg na kujton realitetin e regjimit të Vladimir Putinit”, shtoi ministri francez, raporton BBC.
Ndërkohë zyrtarë nga Norvegjia janë shprehur duke thënë se vdekja e Navlanyt është “përgjegjësi e madhe e qeverisë ruse”.
Ministri i Jashtëm norvegjez Espen Bart Eide shkroi në rrjetin social X se “qeveria ruse mban përgjegjësi të madhe për vdekjen e Navalny, i cili po vuante një dënim 19-vjeçar”.
“Ai u vra brutalisht nga Kremlini.”
Presidenti letonez Edgars Rinkevics shkroi në Platformën X se Navalny u “vra brutalisht nga Kremlini”.
“Çfarëdo që dikush mendon për Alexei Navalny si një politikan, ai thjesht u vra brutalisht nga Kremlini. Ky është një fakt dhe kjo është diçka që duhet ditur për natyrën e vërtetë të regjimit aktual të Rusisë. Ngushëllimet e mia familjes dhe miqve”, ka shkruar presidenti letonez.
Pas deklaratave të figurave të larta të BE-së reagoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Maria Zakharova tha se “pretendimet perëndimore” për vdekjen e Navalny janë “vetëzbuluese”. Në një deklaratë në Telegram, ajo thotë se rezultatet e analizës mjeko-ligjore të shkakut të vdekjes së Navalny nuk janë aktualisht të disponueshme. Zakharova thotë se ajo beson se Perëndimi ka arritur në përfundimet e veta.
Lexo edhe: Me lot në sy, bashkëshortja e Navalny: S’e di nëse duhet t’i besoj lajmet për vdekjen
Alexei Navalny jetoi dhe vdiq duke luftuar kundër regjimit të Vladimir Putin dhe korrupsionit të tij. Ai ishte njeriu i vetëm i aftë të nxirrte dhjetëra mijëra në rrugë duke bërë thirrje për një Rusi pa Putin dhe njeriu i vetëm që presidenti i Rusisë refuzoi të përmendte me emër.
Navalny për disa vite u bë “ferri” i Putinit, pasi nuk ndalonte pavarësisht arrestimeve apo paraqitjeve në gjykata, por gjithçka do të ndryshonte në 2020, ku u bë tentativa e parë për ta helmuar.
I helmuar gjatë një misioni në Tomsk
Navalny në 2020 po zhvillonte një vizitë në Siberi, ku po mblidhte disa fakte në lidhje me një çështje, kur u helmua në një dhomë hoteli. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua teksa ishte në fluturim për në Moskë.
Ai u dërgua me urgjencë në Berlin, ku ra në koma dhe iu deshën disa muaj që të rikuperohej gjendja e tij shëndetësore. Në një laborator ushtarak gjerman identifikoi helmin në fjalë. Ishte novichok, agjenti nervor i klasës së armëve.
Helmimi në burg
Në prill të 2023 Navalny u përballur me dhimbje të forta stomaku në burg që dyshohej se ishin si rezultat i helmit me veprim të ngadaltë. Ai u dërgua në spital, pas thirrjeve të SHBA, e cila paralajmëroi se nëse Navalny do të vdiste në burg do të mbanin përgjegjësi.
Burgosja e Navalny
Navalny ka qenë në burg që nga viti 2021 dhe në dhjetor ai u transferua në një koloni penale arktike në Siberi. Akuzat kundër Navalny, një prej kritikëve më të zhurmshëm të Vladimir Putinit, shihen gjerësisht si të motivuara politikisht.
Ai fillimisht u dënua me tre vjet e gjysmë për shkelje të kushteve të një dënimi me kusht. Në shkurt 2022, ai u vu sërish në gjyq. Këtë herë u akuzua se vodhi 4.7 milion dollarë (3.5 milion £) donacione të dhëna për organizatat e tij politike.
Ai u shpall fajtor dhe u urdhërua të kalonte nëntë vjet në një “koloni penale të regjimit të rreptë”. Dhe në gusht të vitit të kaluar, ky dënim u zgjat në 19 vjet pasi ai u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, akuza që ai i ka mohuar.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo