
2
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, përbërja e re e Kuvendit të Kosovës do të përfshijë shumë emra të njohur nga skena politike, por një numër i konsiderueshëm i deputetëve do ta ushtrojnë këtë funksion për herë të parë.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve me mbi 390.000 vota apo 42.30%, duke siguruar 48 ulëse në Kuvend. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 190.000 vota apo 20.95%, që i garanton 24 ulëse.
Në vendin e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 vota apo 18.27%, duke siguruar 20 ulëse në Kuvend. Ndërsa, në vendin e katërt pozicionohet koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate, që ka marrë mbi 66.000 vota apo 7.06%, duke siguruar 8 ulëse.
Me këtë rezultat, Kuvendi i ri pritet të ketë një përbërje të larmishme, ku krahas figurave me përvojë, do të jenë edhe deputetë të rinj që për herë të parë do të marrin pjesë në procesin legjislativ.