36
Gjatë një diskutimi në emisionin “Opinion”, deklarata e gazetares Alma Çupi ka ndezur polemika në rrjet për shkak të përdorimit të një termi me ngjyrim racist.
Gjatë shprehjes së pakënaqësive të saj lidhur me turizmin në jug të Shqipërisë, Çupi tha: “…ti nuk mund të më detyrosh mua që plazhin publik ta kem atje në të… si jevgjit”.
Kjo frazë preku dhe indinjoi thellë komunitetin rom dhe egjiptian, duke nxitur një reagim të gjerë publik.
Pas valës së kritikave, gazetarja e “Histori Shqiptare” kërkoi ndjesë publike, duke u distancuar nga fjala e përdorur dhe duke theksuar se nuk kishte qëllim të ofendonte apo diskriminonte.
Në një deklaratë publike, ajo shkroi: “Kërkoj ndjesë publike ku distancohem nga përdorimi i një fjale, e cila paragjykon haptazi dhe prek dinjitetin e personave të komunitetit rom dhe egjiptian. Nuk ka qenë qëllim fyerja dhe as diskriminimi”.
Megjithatë, ndjesa e Çupit nuk i ka qetësuar të gjithë. Ish-banorja e “Big Brother”, Rike Roçi, reagoi ashpër ndaj kësaj situate, duke kritikuar gjuhën e përdorur dhe duke kërkuar ndalimin e shprehjeve raciste në publik.
Në një postim në rrjetet sociale, Roçi shkroi: “Njerëz që bëjnë si të kulturuar dhe në të vërtetë janë akoma injorantë. Boll me shprehje ofenduese, diskriminuese dhe raciste… nuk janë shprehje normale”.
Ajo e kritikoi gazetarën për hipokrizinë e treguar, duke vënë në dukje se shumë shqiptarë që përballen me diskriminim jashtë vendit, janë po të njëjtët që diskriminojnë brenda vendit.
Deklarata e Çupit dhe reagimi i ashpër i Rike Roçit kanë nxitur një debat të gjerë mbi përdorimin e gjuhës dhe paragjykimet racore në diskursin publik, duke sjellë në vëmendje nevojën për një ndërgjegjësim më të madh rreth diskriminimit dhe respektit për të gjitha komunitetet në Shqipëri
ks