Lajme

Përfitoi paga për shtatë vjet pa u paraqitur në punë, arrestohet zyrtari i Bibliotekës së Kllokotit

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë, ka siguruar prova që ngarkojnë një zyrtar të Bibliotekës Komunale në Kllokot për keqpërdorim të pozitës së tij.

Policia deklaron se i njëjti kishte përfituar pagë nga Buxheti i Kosovës pa u paraqitur në vendin e punës.

Sipas hetimeve, i dyshuari, një mashkull kosovar, ka marrë paga për periudhën 2019–2026, ndonëse nuk ka ushtruar detyrat e tij të punës.

Nga dëshmitë e mbledhura rezulton se veprimet e tij i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 39 mijë e 232 euro e 21 centë.

Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

Të Ngjashme