Kushtrim Gara, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur ka përkujtuar 23 shqiptarët e zhdukur në Zubin Potok, duke thënë se arkivat e mbyllura mbajnë peng të vërtetën.
Sipas tij, dokumente zyrtare dëshmojnë përfshirjen e Ushtrisë Jugosllave në këtë krim.
“23 jetë të ndërprera padrejtësisht…23 plagë që nuk mbyllen kurrë…… jetë, familje, histori që jetojnë me ne çdo ditë…Më 19 Prill 1999, në Dreth dhe Kalludër të Zubin Potokut, u rrëmbyen dhe u zhdukën me forcë 23 qytetarë shqiptarë, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht nga regjioni i Mitrovicës. Sot, 19 prill 2026, përulemi me dhimbje e respekt para jetëve dhe kontributit të tyre, duke qëndruar pranë familjeve dhe duke kërkuar drejtësi e të vërtetën. Edhe pas 27 vitesh, ky rast mbetet pa përgjigje. Dokumente zyrtare dëshmojnë përfshirjen e Ushtrisë Jugosllave në këtë krim, ndërsa mungesa e bashkëpunimit dhe mos hapja e arkivave vazhdojnë të pengojnë zbardhjen e fatit të tyre. Kujtimi për ta nuk zbehet. Ai jeton në përkushtimin tonë për të mos harruar asnjë emër dhe për të kërkuar pa ndalur të vërtetën”, ka shkruar ai, derisa ka publikuar edhe merat e të zhdukurve.

