Lajme

Përkujtohen 93 dëshmorë në Makoc, Rama i quan simbol të qëndresës

Tentoi ta recitojë një vjershë.

Por lotët nuk mundt t’i ndalë.

Fatjona Berisha, këtë të shtunë, ndjeu mall për xhaxhain e saj dëshmor.

Ashtu si Fatjona, dhimbje e krenari për familjarët e rënë 27 vite më parë, patën edhe shumë të tjerë.

Në nder të 93 dëshmorëve e martirëve të Makocit të Prishtinës, të shtunën u bënë nderime pranë lapidarit të këtij fshati.

I pari i Prishtinës u shpreh se ky fshat është bërë simbol i qëndresës.

“Ky vend nuk flet vetëm për tragjedinë. Ai dëshmon edhe për guximin, për vendosmërinë e një populli që nuk u përkul përballë dhunës së pushtuesit”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

E veprimtari Nusret Pllana theksoi rëndësinë që Serbia të dënohet për krimet që ka kryer.

“Në mungesë presioni të faktorit ndërkombëtar dhe vendor, edhe më tutje na i mbajnë gjithandej Serbisë gjenocidale trupat e më shumë se 1600 shqiptarëve civilë që i vranë e i masakruan barbarisht, vetëm e vetëm se ishin raca e kundërt me ekzekutorët”.

Nga masakra e forcave serbe në Makoc kishin mbetur të vrarë 115 civilë shqiptarë.

Në Kompleksin Memorial në Makoc prehen trupat e 93 dëshmorëve, gjersa trupat e 22 të vrarëve të tjerë janë tërhequr për t’u zhvendosur në varrezat familjare.

Të Ngjashme