Sot u shënua 28-vjetori i Masakrës së Gollubovcit, një nga ngjarjet më të rënda të vitit 1998 në Komunën e Malishevës, ku më 26 shtator të atij viti u vranë 28 civilë shqiptarë. Po ashtu në këtë datë, u përkujtuan edhe tre dëshmorë të Komunës së Malishevës, të rënë gjatë luftës, Ilaz Javori, Rasim Maloku dhe Selman Deligashi.
Në ceremoninë përkujtimore, krahas familjarëve dhe qytetarëve të shumtë, homazhe dhe nderime bënë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, së bashku me drejtorë të drejtorive komunale dhe përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Malishevë.
Duke folur për Masakrën e Gollubovcit, nënkryetari Krasniqi tha se kjo ngjarje mbetet një nga plagët më të rënda të luftës.
“Sot është një ditë që na kujton dhimbjen për një prej ngjarjeve më të rënda gjatë luftës, pasi u vranë në mënyrën më mizore 28 qytetarë të komunës sonë. Këto ngjarje janë dëshmia më e mirë se serbët kanë kryer krime, e jo çlirimtarët, ndërsa gjykatat vazhdojnë të dënojnë çlirimtarët, kurse autorët e këtyre krimeve jetojnë të lirë. Ne, si komunë, nuk do të heshtim para këtyre padrejtësive dhe kërkojmë që autorët e këtij krimi të dalin para drejtësisë. Ju si familje të jeni të fortë, pasi falë këtij gjaku, falë kësaj sakrifice, ne sot jetojmë të lirë dhe sot i përkujtojmë të rënët”, tha Krasniqi.
Ndërsa duke folur për tre dëshmorët e rënë në këtë datë, ai theksoi se sakrifica e tyre do të mbetet e kujtuar ndër breza.
“Sa të jetojë kombi, dëshmorët do të kujtohen, sepse ishte gjaku dhe sakrifica e tyre për kombin që ne sot të gëzojmë lirinë”, u shpreh Krasniqi.
Në emër të Familjeve të Dëshmorëve në Malishevë, Kastriot Berisha vlerësoi kontributin e dëshmorëve të kombit dhe të gjithë atyre që kontribuuan në luftën çlirimtare.
“Falë kësaj sakrifice, falë këtij gjaku të derdhur ndër shekuj, populli shqiptar jeton i lirë dhe ne sot ndërtojmë vendin”, tha Berisha.
Gjatë homazheve, familjarët falënderuan institucionet dhe të gjithë të pranishmit për nderimet e bëra, duke theksuar se përkujtimet e tilla kanë rëndësi të veçantë për familjet që humbën fëmijët, vëllezërit, motrat, nënat dhe baballarët e tyre gjatë luftës.
