Komisioni për Buxhet ka shqyrtuar raportin financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për vitin 2025.
Gjatë raportimit, kryesuesi i Bordit të AKP-së, Hekuran Nikçi, ka thënë se bordi që ai kryeson është emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 27 prill 2026, pra pas periudhës së cilës i referohet raporti.
Ai ka bërë të ditur se buxheti përfundimtar i AKP-së për vitin 2025 ishte rreth 4 milionë e 543 mijë euro, ndërsa shpenzimet e realizuara ishin 4 milionë e 312 mijë euro, apo rreth 94.9 për qind e buxhetit përfundimtar.
“Dua të theksoj se ky bord që unë kryesoj është emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 27 prill 2026, pas përfundimit të periudhës së cilës i referohet ky raport. Atëherë, sipas pasqyrave financiare, buxheti përfundimtar i AKP-së për vitin 2025 ishte rreth 4 milionë e 543 mijë euro, ndërsa shpenzimet e realizuara ishin 4 milionë e 312 mijë euro, apo afërsisht 94.9 për qind e buxhetit përfundimtar. Pjesa më e madhe e shpenzimeve, rreth 3 milionë e 307 mijë euro, ishte për paga shtesë. Për mallra dhe shërbime u shpenzuan 841 mijë euro, për shpenzime komunale 110 mijë euro, ndërsa për shpenzime kapitale 54 mijë euro”, tha Nikçi.
Ndërkaq, deputetja Teuta Haxhiu ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të pronave të AKP-së, duke përmendur edhe një rast në Ferizaj, si dhe ka hedhur akuza ndaj pushtetit lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Haxhiu ka hedhur akuza ndaj një deputeti të Vetëvendosjes, i cili sipas saj, kishte blerë tokë në Ferizaj për një çmim modest.
Ilir Kërçeli ka kundërshtuar kritikat e deputetëve lidhur me shitjen e aseteve të AKP-së, duke përmendur mënyrën e shitjes së pronave gjatë periudhave të mëhershme.
“Gjatë qeverisjes së AAK janë shitur 2 euro ari, 200 kontrata janë bërë me shitje direkte. Pse s’po i tregoni popullit? Pse po mundoheni me i qit hi syve? Nuk u shit 4 euro ari, 400 euro u shit ari. Toka në Ferizaj nuk u shit 2 euro ari, qysh e keni shitë ju, u shit 10 mijë euro ari. Mos hajde këtu me u mundu me i qit hi syve qytetarëve. Tregoni, gjatë mandatit të juaj, 200 kontrata në negocim, ka 2 euro ari e keni shitë. Prej vitit 2008 deri në vitin 2021, 500 milionë euro i keni shitë asete”, tha Kërçeli.
