ShowBizzz

Përplasja e helikopterëve në Greqi, raportohet për dy të vdekur dhe dy të plagosur

Dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur pas përplasjes së dy helikopterëve gjatë operacionit për shuarjen e flakëve në zonën e Psathës, në Atikë.

Sipas informacioneve paraprake, viktimat janë një shtetas grek dhe një shtetas rumun, ndërsa dy anëtarët e tjerë të ekuipazheve janë shpëtuar.

Burime nga kompania që kishte dhënë me qira helikopterët për Shërbimin Zjarrfikës grek bëjnë të ditur se dyshimet e para flasin për një gabim njerëzor si shkak të aksidentit.

Në një njoftim zyrtar, Shërbimi Zjarrfikës i Greqisë konfirmoi se dy helikopterët e tipit Bell, të marrë me qira për operacionet e shuarjes së zjarrit të madh në zonën Atikë–Beoti, u përplasën gjatë ndërhyrjes.

Menjëherë pas aksidentit u aktivizuan forcat e kërkim-shpëtimit, të cilat arritën të lokalizonin dhe të nxirrnin të gjithë anëtarët e ekuipazheve. Në bord ndodheshin katër persona, dy shtetas grekë dhe dy shtetas të huaj.

Sipas autoriteteve, dy prej tyre u gjetën të gjallë, ndërsa dy të tjerë u nxorën pa shenja jete dhe u morën nga ekipet e urgjencës.

Helikopterët ishin ngritur nga aeroporti i Elefsinës për të marrë pjesë në operacionin kundër zjarrit. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

 

Të Ngjashme