Lajme

Persona të armatosur u zunë pritë, rrëmbehen prindërit e yllit të Premier Leauge

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kolumbi ku prindërit e sulmuesit të Liverpool, Luis Diaz, janë rrëmbyer nga persona të armatosur. Mediat e huaja bëjnë me dije se dy prindërit e futbollistit u ndaluan përgjatë natës nga persona të armatosur me motoçikleta.

Fatmirësisht nëna e Diaz, Cilenis Marulanda, u shpëtua disa orë më vonë nga policia në qytetin Barrancas, mirëpo i ati i tij vijon të jetë ende i zhdukur.

Në një deklaratë për mediat drejtori i policisë së vendit, gjenerali William Salamanca, tha se është duke përdorur çdo agjent për të gjetur babain e Diaz dhe po kontrollojnë të gjithë zonën.

Prindërit e 26-vjeçarit kolumbian thuhet se janë rrëmbyer teksa po shkonin me makinë për në shtëpinë e tyre. Sipas informacioneve praprake thuhet se ata ishin në një pikë karburanti në momentin që njerëz të armatosur me motoçikleta u afruan në drejtim të tyre.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë pak më parë erdhi dhe një reagim nga Federata e futbollit të Kolumbisë të cilët dënuan këtë akt të tmerrshëm si dhe i kërkuan autoriteteve të shpëtonin menjëherë babain e futbollistit.