2
Edhe pse në vendin tonë ende nuk ka shifra të sakta se sa persona vuajnë nga diabeti, familjarët vazhdojnë të përballën më sfida rreth mjekimit të personave me diabet. Sipas tyre, trajtimi i sëmundjes së diabetit ka një kosto të lartë, ku veçmas sigurimi i sensorëve diabetik në Kosovë, është i vështirë dhe shumë i kushtueshëm.
Personave me diabet në Kosovë, u mungon përkrahja institucionale ani pse kjo sëmundje për trajtim ka një kosto të lartë. Kështu ka thënë Ardiana Zenelaj, njëra nga prindërit që ka fëmijën me diabet. Ajo ka thënë se përveç një lloj të insulinës që e marrin nga Ministria e Shëndetësisë, të tjerat i sigurojnë vet.
“Institucionet ofrojnë vetëm insulinat, por edhe insulinat që i merr djali ynë vetëm njërën prej tyre e siguron ministria, kurse tjetrën e sigurojmë jashtë vendit. Më e keqja është që institucionet nuk ofrojnë as fishat që matet sheqeri në mollëzat e gishtërinjve. Ato duhet mei ble ne vetë. Po ashtu edhe sensorët për monitorimin e sheqerit i sigurojmë vet dhe kjo ka një kosto të lartë. Sepse një sensor mund të përdorët vetëm 14 dite dhe ai kushton 70 euro. Brenda muajit vetëm me sensorë i shpenzojmë 140 euro”, tha Zenelaj.
Ndërsa endokrinologia Vjosa Mulliqi-Kotori ka deklaruar se përveç insulinës, personave me diabet duhet t’u plotësohen edhe nevojat e tjera për trajtimin e sëmundjes. Ajo ka thënë se Kosova duhet domosdoshmërisht të sigurojë sensorë diabeti për pacientë.
“Matja e vlerës është kyçe për personat me diabet, dhe gjatë ditës duhet të bëhen matje se paku 4-6 herë në ditë. Dhe për një gjë të tillë duhet të sigurohen falas fijet për matje të glikemisë, se paku 100 fije për një muaj duhet t’i këtë një familje. Pastaj sensorët elektronikë, prandaj është domosdoshmëri që Kosova të sigurojë edhe sensorë, pastaj pompat e insulinës etj”, ka deklaruar Mulliqi-Kotori.
Radio Kosova ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë se kur pritet të furnizohen me sensorë diabetikë, por që deri në publikimin e këtij raporti nuk ka marrë përgjigje.
Ndërsa nga Klinika e Endokrinologjisë në QKUK, kanë thënë se planifikimin për pompa insulinike dhe sensorë për 3 vitet e ardhshme, e kanë bërë në mënyrë institucionale në kuadër të QKUK-së nga një grup punues me specialistë të Klinikës së Endokrinologjisë dhe asaj të Pediatrisë. Në përgjigje thuhet po ashtu se kërkesa është dorëzuar në QKUK, SHSKUK dhe në Komitetin e Listës Esenciale të barnave.
“Për momentin nuk kemi gjetur përkrahjen për shkak se këto pajisje janë konsideruar të kushtueshme sa i përket buxhetit aktual, edhe pse planifikimi është bërë për një numër shumë të vogël të pacientëve me parashikimet e rritjes së këtij numri në vitet në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e Klinikës së Endokrinologjisë.