Përveç deputetëve të PDK-së dhe të Aleancës, sot, në sallën e kuvendit të Kosovës pati të pranishëm edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Ata u përshëndetën nga parlamentarë të dy partive që tashmë dy javë po vijnë në vendin e punës të të zgjedhurve të popullit, ku po kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive, që ngeci qysh në start, më 8 gusht.
PDK dhe Aleanca po fajësojnë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe partinë e tij se kanë marrë peng Kosovën.
Deputetja Ganimete Musliu tha se Vetëvendosje ka tendenca shtet-shkatërruese dhe se po luan me besimin dhe durimin e popullit të Kosovës, por sipas saj, çdo durim e ka një fund dhe se Kosova nuk mund të pres më.
Musliu: Kosova është marrë peng nga një parti me tendenca shtet-shkatërruese
“Do të flas jo vetëm si deputete por para se gjithash si një qytetare e këtij shteti që është marrë peng nga një parti politike me tendenca shtetshkatërruese. Kosova është marrë peng nga një parti e cila erdhi në pushtet me fjalë të mëdha. Kosova është marrë peng nga një parti e cila arriti që shpresën e qytetarëve për një jetë të mirëqenë ta keqpërdor për ambicie të veta për pushtet. Kosova është marrë peng nga një parti e cila veç mirëqenien e Kosovës nuk e ka në agjendën e saj dhe kjo parti e ka lënë vendin sot pa institucione. Kjo parti po luan me besimin dhe durimin e një populli që ka duruar më shumë sesa që duhet. Por, çdo durim e ka edhe një fund. Kosova nuk mund të pres më”, tha Musliu, raporton KosovaPress.
Ajo i bëri thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që sa më shpejt të vijnë në sallën e kuvendit dhe ta vazhdojnë seancën për konstituimin e kuvendit.
Kurse, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se shumica parlamentare të cilën e përbën Lëvizja Vetëvendosje, e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik e politik.
Sipas tij, situata është duke dalë nga kontrolli teksa parashikoi se po shkohet kah drejt një gjendje kritike që lidhet me aspektin e sigurisë në shoqëri.
Ai akuzoi VV-në se po mundohet, në një formë a tjetër, të hyjë në histori, por që gjithmonë ka qenë në anën e kundër të saj.
Tahiri: Gjendja është kah agravon në një pikë kritike, në aspektin e sigurisë
“Gjendja në vend është kah agravon dhe është kah vjen në një pikë kritike që ndërlidhet edhe në aspektin e sigurisë në shoqëri, edhe në aspektin e ekonomisë që krijon vende pune dhe mbi të gjitha një krizë politike që nuk ka qenë e parë asnjëherë në historinë e demokracisë së vendit tonë. Kjo është e qëllimshme. Kjo qasje, kjo mënyrë dhe ky përkushtim e ka vetëm një qëllim dhe qëllimi është ta sjellë shtetin e Kosovës në një krizë identitare të cilën historikisht e ka kundërshtuar. Ky konstulacion politik ka qenë në anën e kundërt të historisë në kohën e Marrëveshjes së Rambujesë dhe në kohën kur NATO ka hy në Kosovë. Ky konstulacion politik ka qenë në anën e kundërt të historisë kur është shpallur Pavarësia e Kosovës. Sot, ky konstalicion politik po mundohet ta ndërtojë një tregim, një tregim i cili është i rrejshëm, kundër çdo përpjekjeje historike të kombit shqiptar në Kosovë, të krijimit të një identiteti tjetër”, tha Tahiri, raporton KosovaPress.
Që nga 8 gushti, Kuvendi i Kosovës nuk e ka thirrur më asnjë mbledhje për vazhdimin e seancës konstituive, ndërkohë PDK e Aleanca vazhdimisht po e kërkojnë një gjë të tillë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje është shprehur se pa pasur marrëveshje për president, thirrja e një seancë të tillë do të ishte parapërgatitje për zgjedhje të reja.
