LifeStyle

Pesë mënyrat se si adoleshentët mund të mbrojnë shëndetin e tyre mendor në mediat sociale

efundit

Nga Mark Travers

Duke qenë se deri në 95 për qind e të gjithë të rinjve midis 13-17 vjeç janë përdorues të mediave sociale, është e qartë se ato janë një pjesë integrale e mënyrës së jetesës së Gjeneratës Z. Për më tepër, pavarësisht se mosha minimale është 13 vjeç në shumicën e platformave të mediave sociale, 40 për qind e fëmijëve të moshës 8-12 vjeç janë përdorues të mediave sociale.

“Ne ndodhemi në mesin e një krize kombëtare të shëndetit mendor të të rinjve dhe unë jam i shqetësuar që mediat sociale janë një shtytës i rëndësishëm i asaj krize, të cilën ne duhet ta trajtojmë urgjentisht”- tha në një intervistë dhënë së fundi eksperti Vivek Murti. Më poshtë po rendis 5 këshilla të vlefshme që një adoleshent mund të ndjekë për të lundruar i sigurt në mediat sociale, duke shmangur sfidat e mundshme të shëndetit mendor.

  1. Jini të vetëdijshëm për mundësinë e krizave të shëndetit mendor për veten dhe miqtë tuaj

Një studim i fundit 3-vjeçar i publikuar në “JAMA Pediatrics”, zbuloi se adoleshentët që kontrollojnë mediat e tyre sociale të paktën 15 herë në ditë, janë shumë të rrezikuar të bëhen të mbi-ndjeshëm ndaj reagimeve sociale. Sipas studimit, kjo mbindjeshmëri lidhet me ndryshimet zhvillimore në trurin e adoleshentëve, të cilat mund të shkaktojnë efekte të qëndrueshme (dhe të dëmshme) tek shëndeti mendor i tyre.

Prandaj inkurajoni komunikimin dhe mirëkuptimin e hapur me bashkëmoshatarët tuaj, theksoni rëndësinë e kërkimit të ndihmës kur është e nevojshme, dhe dalloni shenjat paralajmëruese të shqetësimit mendor. Inkurajoni miqtë tuaj që të kërkojnë ndihmë nga të rritur të besuar ose profesionistë të shëndetit mendor, kur ata mendojnë se është e nevojshme.

  1. Vendosni kufij midis vetes tuaj online dhe offline

Mediat sociale janë një shtesë në jetën tuaj sociale dhe jo një zëvendësues. Ndaj është thelbësore që gjatë ditës të veproni pa ekranet, veçanërisht rreth tryezës së darkës apo 1 ose 2 orë para se të flini gjumë. Kjo do t’ju japë mundësinë të ndani se kush jeni në jetën tuaj reale nga ajo që e portretizoni veten online.

Nxitja e marrëdhënieve të vërteta njerëzore, është shumë efektive në adresimin e shqetësimit të bazuar mbi mediat sociale, që është shpesh një rreth vicioz. “Përdorimi intensiv i faqeve të mediave sociale, është shoqëruar me shqetësime të shtuara për imazhin e trupit, vetë-objektivizimin, krahasimin social, zilinë si dhe mundësinë e vuajtjes dhe përfshirjes në bullizmin kibernetik”- thotë psikologia Maria Herrera, e cila kohët e fundit drejtoi një studim se si pëlqimet dhe reagimet e mediave sociale ndikojnë mbi shëndetin mendor të adoleshentëve.

  1. Zhvilloni praktika të shëndetshme rreth privatësisë, kontrollit të fakteve dhe kohës së kaluar para ekranit

Sipas një studimi të botuar në vitin 2021, besimet mbi privatësinë e adoleshentëve janë komplekse dhe të shumëanshme, për shkak të pazarit që duhet të bëjnë midis mbrojtjes së privatësisë dhe lidhjes sociale. Por të rinjtë duhet të kuptojnë se zotërojnë fuqinë për të kufizuar se sa nga informacionet e tyre kanë qasje njerëzit e tjerë dhe kompanitë.

Ndaj unë u them t’i kujtojnë vetes rrezikun që ndërmerrnin kur ndajnë të dhënat me një kompani apo individ. Mundohuni të mësoni sa më shumë që të mundeni mbi politikën e privatësisë së platformave tuaja të preferuara të mediave sociale. Nëse kërkohet, kontaktoni me një të rritur të besuar, i cili mund të shpjegojë termat dhe kushtet e ndryshme.

Po ashtu pranojeni se jo gjithçka që konsumoni në mediat sociale bazohet tek faktet. Tek e fundit, përpiquni të mos ndikoheni nga opinionet e njerëzve të tjerë dhe përpiquni gjithnjë që të kontrolloni faktet dhe zhvilloni pikëpamjet tuaja duke pasur respekt ndaj atyre të të tjerëve. Kjo gjë do t’ju japë mundësi të mendoni në mënyrë kritike dhe të pjekur.

  1. Kini kujdes se çfarë ndani, me kë e ndani, dhe si e ndani

Shpërndarja e tepërt në mediat sociale paraqet rreziqe të rëndësishme për adoleshentët, duke përfshirë turpërimin në internet, bullizmin në rrjet dhe vjedhjen e identitetit. Një studim i vitit 2022 në “Psychological Reports me 352 adoleshentë iranianë përdorues të mediave sociale, zbuloi se djemtë priren të ndajnë më shumë informacione vetjake se sa vajzat.

Ankthi, sjellja e kërkimit të vëmendjes dhe varësia nga mediat sociale, u shoqëruan me nivele më të larta të shpërndarjes së tepërt. Adoleshentët mund ta mbrojnë privatësinë e tyre dhe të shmangin pasojat e mundshme negative, duke qenë të vetëdijshëm se çfarë dhe si e ndajnë në internet.

Gjetjet e studimit në fjalë, nënvizojnë rëndësinë e kujdesit dhe të menduarit në vetë-zbulimin në internet, duke i nxitur të rinjtë të marrin në konsideratë pasojat e mundshme psikologjike dhe të sigurisë nga shpërndarja e tepërt e materialeve personale në rrjetet sociale.

  1. Denonconi në kohë bullizmin në rrjet, dhe mos hezitoni asnjëherë të përfshini një të rritur të besuar

Nuk ka asgjë të turpshme në denoncimin e ngacmimit në rrjet, dhe është thelbësore që të ndërmerren veprime kundër tij. Ngacmimi kibernetik, mund të shkaktojë shqetësime të mëdha emocionale dhe të ketë efekte afatgjata mbi shëndetin mendor të njerëzve.

Në rast se ju ose dikush që njihni po përjeton ngacmim kibernetik, mos harroni se nuk jeni vetëm. Flisni me dikë më të rritur dhe denoncojeni sjelljen bullizuese, qoftë drejt jush apo ndaj të tjerëve. Mos hezitoni asnjëherë të kërkoni ndihmë nga një i rritur i besuar, si prindi, mësuesi ose këshilltari.

Ata mund të ofrojnë udhëzime dhe mbështetje dhe të ndërhyjnë në një mënyrë efektive për të adresuar situatën. Nga ana tjetër, mos propagandoni vetë përmbajtje lënduese për njerëzit; raportoni përmbajtjet fyese në platformën e mediave sociale, dhe tregoni ku i keni gjetur ato. Mos harroni:të gjithë meritojnë të ndihen të sigurt dhe të respektuar në internet. / “Psychology Today” – Bota.al