Lajme

Pezullimi i drejtorit të Kadastrës, “Rozafa A” mori leje për pallat 6 katësh dhe ndërtoi 10-të

Hetimet e nisura nga Prokuroria e Lezhës kanë nxjerr në dritë një skandal të ndodhur në zonën e Kunes, në Shëngjin. Kjo është bërë shkak që Drejtori i Kadastrës së Lezhës, Gentian Malotaj dhe përgjegjësi i legalizimeve Artur Shabaku të pezullohen menjëherë nga detyra.

Këta funksionarë shtetërorë kanë legalizuar një pallat 10 katësh, i kombinuar për shërbim dhe banim, i cili në fakt kishte marrë leje ndërtimi për 6 kate.

“Objekt i referuar lejes së ndërtimit është “Godinë e kombinuar shërbimi dhe banimi me 2-6 kate mbi tokë dhe 1 kat në nëntokë”, kurse sipas inspektimit të gjendjes faktike rezulton që objekti të jetë “Godinë e kombinuar shërbimi dhe banimi me 2-8-9-10 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë”, thuhet në dosjen hetimore.

Prokurorja Iva Harka ka ngritur ndaj drejtuesit të Kadastrës dhe atij të legalizimeve akuzë për konsumim të veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, duke i kërkuar Gjykatës së Lezhës pezullimin e tyre nga detyra. Në bazë të provave të paraqitura, kërkesa është pranuar nga togat e zeza.

Drejtori i Kadastrës së Lezhës, Gentian Malotaj dhe përgjegjësi i legalizimeve Artur Shabaku janë sot të pezulluar nga detyra, por e kanë ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit në Tiranë, e cila ka në juridiksion dhe Lezhën me hartën e re gjyqësore.

Leja e marre per pallat 6 katesh ne Lezhe, nga Rozafa A
Leja e marre per pallat 6 katesh ne Lezhe, nga Rozafa A

Nën hetim është dhe administratori dhe pronari i vetëm i kompanisë së ndërtimit “ROZAFA A”, shtetasi Adriano Uldedaj. Ai kishte marrë leje ndërtimi nga Bashkia e Lezhës për godinë banimi dhe shërbimi 2-6 kate mbi tokë dhe 1 kat në nëntokë, por nga verifikimi në terren rezulton se pallati ishte me 2-8-9-10 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë.

“Me Vendimin Nr. 317, datë 10.08.2021 Bashkia Lezhë ka vendosur: “Miratimin e Lejes së  ndërtimit për ndërtim të ri me sipërfaqe më të madhe se 250m2, për Shoqërinë e Ndërtimit  “Rozafa A” shpk, me Nipt L86414003A dhe Liçencë NZ.7719, për ndërtimin e strukturës me  emërtim sipas projektit “Objekt me funksion akomodim dhe shërbime 2 dhe 6 kate mbi tokë  dhe 1 kat nën tokë, në Rrugën Fran Ivanaj, Ishull-Shëngjin, Njësia Administrative Shëngjin, Bashkia Lezhë, me kushte sipas planvendosjes së dorëzuar, projektit dhe preventivit: (…)”.

Gjatë hetimeve paraprake është kryer dhe një akt ekspertimi teknik topografik i datës 21.07.2023, nga Ing. Manjola Fida, ku është arritur në konkluzionin se:

Objekt i referuar lejes së ndërtimit është “Godinë e kombinuar shërbimi dhe banimi me 2-6 kate mbi tokë dhe 1 kat në nëntokë”, kurse sipas inspektimit të gjendjes faktike rezulton që objekti të jetë “Godinë e kombinuar shërbimi dhe banimi me 2-8-9-10 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë”.

Ekspertja ka arritur edhe në konkluzione të tjera, të cilat do të kenë relevanc për themelin”, thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore të përgatitur nga Prokuroria e Lezhës, në ngarkim të zyrtarëve të Kadastrës. Hetimet e mëtejshme pritet të zbardhin më tepër këtë skandal që ka ndodhur në zonën e Kunes në Shëngjin, ku është përfshirë dhe pronari i kompanisë së ndërtimit “ROZAFA A”, shtetasi Adriano Uldedaj.

Adriano Uldedaj, administrator dhe pronar i Rozafa A
Adriano Uldedaj, administrator dhe pronar i Rozafa A

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo