Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të punimeve në një objekt ndërtimi në komunën e Drenasit, pas konstatimit të parregullsive serioze në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë inspektimit në terren është konstatuar se subjekti nuk kishte ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e mbrojtjes, sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve.
Për shkak të këtyre shkeljeve, Inspektorati ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të të gjitha aktiviteteve ndërtimore në këtë lokacion.
Masa do të mbetet në fuqi deri në përmirësimin e plotë të mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për vazhdimin e punës.
“Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen rigoroze të zbatimit të legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
Nga ky institucion u është bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që t’i zbatojnë me përpikëri standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rreziqeve në vendet e punës.
Autoritetet kanë theksuar se respektimi i masave të sigurisë është i domosdoshëm për mbrojtjen e punëtorëve dhe zhvillimin e sigurt të aktiviteteve në vendin e punës.
