Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën deklaratën lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Deputetët e kanë cilësuar të papranueshëm konstatimin për ekzistimin e një “qëllimi të përbashkët kriminal”.
Profesori Fadil Maloku në një prononcim për “Bota sot”, vlerësoi se miratimi i deklaratës me 99 vota tregon një konsensus të gjerë politik.
Sipas tij, ajo ka peshë të veçantë në rrethanat aktuale dhe paraqet përpjekje të Kuvendit për të ndërtuar një qëndrim institucional ndaj një çështjeje që prek luftën e UÇK-së dhe shtetformimin e Kosovës.
“Akti dhe fakti që kjo Deklaratë u miratua me 99 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime, e bën shumë domethënëse si akt të besueshëm se kemi filluar ta ndërtojmë një lloj konsensusi politik.
Në gjykimin tim sociologjik, pesha e saj duke marr parasysh rrethanat në të cilat aktualisht gjendet Kosova, pa asnjë fije dyshimi është shumë më e madhe.

Fadil Maloku
Kjo deklaratë detyrimisht na dëshmon se Kuvendi po përpiqet të prodhojë një pozicion kolektiv institucional ndaj një ngjarjeje që prek jo vetëm individët e dënuar, por edhe mënyrën se si një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare e interpreton luftën e UÇK-së dhe shtetformimin e Kosovës”, tha profesori.
Maoku e cilësoi deklaratën si një akt të rëndësishëm të legjitimimit politik dhe konsolidimit të kujtesës kolektive, por jo si akt juridik që mund të ndikojë në vendimin e gjykatës.
Ai vlerësoi gjithashtu se miratimi i saj tregoi se, përmes solidaritetit dhe vullnetit të përbashkët, Kuvendi mund të tejkalojë polarizimin dhe bllokimet politike.
“Pra, unë do ta quaja akt të rëndësishëm të legjitimimit politik dhe të konsolidimit të kujtesës kolektive, por jo akt juridik që mund të ndërhyjë në vendimin gjyqësor.
Mirëpo, në këtë çështje une vërejta edhe një paradoks interesant sociologjik. Ku nga një Kuvend i deri djeshëm që prodhonte polarizim dhe bllokim, sot na dëshmoj se kur kemi një: me solidaritet dhe vullnet të mirë mundemi të shkojmë përpara”, përfundoi ai
