Lajme

​Pikëpyetje për votat e LDK-së për presidentin, dyshime në unitetin e deputetëve

Zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po shihen si një faktor që mund të ndikojë në procesin e krijimit të institucioneve të reja, veçanërisht në zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Pavarësisht takimit mbi dy orësh ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet e hapur çështja nëse Abdixhiku do t’i ketë pas vetes të gjithë 18 deputetët e grupit parlamentar të kësaj partie në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Ndërkohë, brenda LDK-së është diskutuar mundësia e thirrjes së një Kuvendi të jashtëzakonshëm për votëbesim ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, zhvillim që ka shtuar debatet për gjendjen e brendshme të kësaj partie.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se zhvillimet brenda LDK-së mund të ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke ngritur pikëpyetje për unitetin e deputetëve të kësaj partie.

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se deputetët e LDK-së nuk janë plotësisht homogjenë sa i përket qëndrimeve për krijimin e institucioneve.

“Këto zhvillime brenda LDK-së janë relevante për palët e treta apo palët e jashtme vetëm në pikën sa ndikojnë në procesin e krijimit të institucioneve, në këtë rast zgjedhjes së presidentit të Republikës. Kjo çka po ndodh në LDK i kontribuon ose vështirëson procesin e zgjedhjes së presidentit. Nuk mund ta di, por ajo çfarë mund të them të paktën në fillim të këtyre zhvillimeve ka ekzistuar një përshtypje që ndër të tjera ka një lloj beteje, le të themi, grupeve brenda LDK-së për prirjen që duhet të ketë kjo parti. Unë besoj që LDK si parti e tretë është në situatën e tillë që duhet të përcaktojë krijimin e institucioneve… Nuk mund ta di si ndikon, por është e vërtetë një gjë se 18 deputetët e LDK-së nuk janë homogjenë, në njëfarë mënyre sa i përket procesit të krijimit të institucioneve, por nuk kanë qenë as pas 28 dhjetorit që LDK-ja nuk i kishte 15 deputetë për një emër konkret, Vjosa Osmanin”, thotë ai.

Nga ana tjetër, në LDK insistojnë se nuk ka ndarje në qëndrime dhe se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, përfaqëson qëndrimin e përbashkët të deputetëve.

Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, ka thënë se vendimet politike për diskutimet me LVV-në janë përcaktuar në organet e partisë para takimit me Kurtin.

“Një ditë më herët e kemi pasur mbledhjen e kryesisë. Pozicionet përcaktohen në mbledhjen e kryesisë para se të shkohet në takim, jo pasi të shkohet në takim… Zotëri. Abdixhiku flet në emër të të gjithë deputetëve të LDK-së”, ka deklaruar Ferati.

Ndërkohë, analisti politik Blerim Canaj vlerëson se, pavarësisht qëndrimit zyrtar të LDK-së, kryetari i kësaj partie nuk i ka të sigurta të gjitha votat e grupit parlamentar për një proces të rëndësishëm siç është zgjedhja e presidentit.

Sipas tij, në një marrëveshje të mundshme ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, mbështetja nga deputetët e LDK-së mund të jetë më e kufizuar.

“Duke pasur parasysh situatën që ndodhet LDK-ja dhe atë çfarë po ndodh brenda saj, mund të them lirisht se LDK-ja për presidentin nuk i ka mbi tetë deri në dhjetë vota. Pavarësisht nëse e kandidojnë Lumirin apo Vjosën, pyetja është se si do të sillen deputetët e tjerë që janë të pakënaqur apo anasjelltas. LDK-ja nuk është opsion”, ka theksuar Canaj.

Lideri i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, më 10 korrik është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abidixhiku për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja. Ani pse nuk pati ndonjë marrëveshje sipas Kurtit takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Këto takime erdhën pasi KQZ-së certifikoi rezultatin e zgjedhjeve më 8 korrik. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse.

Të Ngjashme