Lajme

Piramida e Tiranës gati për të pritur liderët e Europës dhe Rajonit (VIDEO)

Ditën e nesërme Tirana do të presë mysafirët Perëndimorë në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Europian. Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e sotme ka publikuar pamjet nga Piramida e Tiranës e cila do të jetë edhe epiqendra e Samitit.

Në videon e postuar çdo gjë shihet që është gati për të mirëpritur krerët e institucioneve të Bashkimit Europian, liderët Europës dhe Rajonit.

“Gati për Tiranën nesër, kryeqytetin e Europës së Ballkanit, ku do të mbahet samiti i parë i Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së”, shkruan Rama.

Krerët e institucioneve të Bashkimit Evropian do të takohen nesër, në kuadër të Procesit të Berlinit, që për herë të parë zhvillohet në një vend të rajonit.

Me pjesëmarrjen e presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel dhe presedentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, komisionari i BE-së për Zgjerim Oliver Verhelyi, dhe shumë zyrtarë tjerë evropianë, dëshirojnë të dëshmojnë se sa e përkushtuar është BE-ja në mbështetje të këtij procesi.

Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Është një nismë e Gjermanisë, e mbështetur nga vendet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera, që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit, bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre, të sigurojë tërheqjen e investimeve dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë ato vende në përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE, në një të ardhme.

Theksojmë se për mbarëvajtjen e këtij Samiti janë angazhuar më shumë se dy mijë efektivë policie, ndërkohë disa prej rrugëve të kryqytetit do të bllokohen duke nisur nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme.

LEXO EDHE: Mbi 2 mijë efektivë në terren, rrugët që do të bllokohen në Tiranë nga ora 20:00