Lajme

Pjesë e grupit kriminal që trafikonte në 5 shtete të BE, arrestohen me vendim të GJKKO 2 persona

Dy persona janë arrestuar me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) këtë të martë (4 korrik). Kërkesa për arrestimin e tyre u bë nga SPAK, ku nëpërmjet një njoftimi, Prokuroria e Posaçme bën me dije se personat me inicialet K.D dhe A.M, dyshohen si pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafik droge.

Hetimet e SPAK u kryen në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë të Danimarkës, që u zhvilluan gjatë viteve 2018-2019, ndërsa grupi kriminal akuzohet se ka trafikuar, ruajtur, përpunuar dhe shpërndarë sasi të konsiderueshme kokaine dhe mariuhanë, duke vepruar kryesisht në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Belgjikë, Holandë dhe Gjermani.

Në Danimarkë janë arrestuar edhe anëtarët kryesorë të grupit të strukturuar kriminal, mes tyre edhe shtetasit shqiptarë Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasnici), Defrim Beck (Elbasani), Armando Doçaj, Eri Pelinku, Ervin Pelinku, Nikardo Preka, Kejdi Beqiri, Fatjon Elbasani, Murat Lipovica, Hasan Murati, Shkëlzen Murati dhe Ylber Troci, të cilët janë dënuar me burgim nga Gjykata e Kopenhagen dhe aktualisht po vazhdon gjykimi në Gjykatën e Apelit.

Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal nga autoritetet daneze të drejtësisë është konsideruar Jetmir Kastrati.

Ndërkohë në Shqipëri, si pjesë e këtij grupi kriminal janë dënuar me burg Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniçi), Astrit Beqiri dhe Dhimitër Shkodrani. Jetmir Kastrati u dënua nga GJKKO me 9 vite burg më 20 mars të këtij viti, dënim të cilin duhet ta vuajë në burg të sigurisë së lartë.

Personat e arrestuar këtë të martë akuzohen për veprat penale “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.