Lajme

Plagosja e 36-vjeçarit në Shijak, policia zbardh ngjarjen: Kishte shkëmbim zjarri

Policia e Durrësit ka zbardhur detaje nga ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Shijak ku mbeti i plagosur me armë zjarri 36-vjeçari Enidor Dedja.

Policia ka arrestuar  shtetasin Albano Domi pronari i dyqanit, për pjesë këmbimi, ku ndodhi ngjarja dje. Gjatë arrestimit të tij u bë kontrolli i dyqanit ku u gjet një armë zjarri, e cila dyshohet se u përdor nga pronari i dyqanit gjatë konfliktit.

Albano Domi akuzohet për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërsa ende vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve që plagosën me armë 36-vjeçarin, i cili ndodhej në dyqan, gjatë konfliktit.

Njoftim

Shijak/Zbardhet plagosja me armë zjarri e 36-vjeçarit.

Vihet në pranga pronari i dyqanit për pjesë këmbimi, ku ndodhi ngjarja. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë që dyshohet se e ka përdorur pronari i dyqanit, gjatë konfliktit.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve që plagosën me armë 36-vjeçarin, i cili ndodhej në dyqan, gjatë konfliktit.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në drejtimin e  Prokurorisë, në vijim të hetimeve  të thelluara për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në një dyqan për pjesë këmbimi, në Shijak, arrestuan shtetasin A. D., 27 vjeç, banues në Xhafzotaj (pronari i dyqanit ku ndodhi ngjarja).

Nga hetimet rezultoi se për motive të dobëta, shtetasit A. H. dhe Xh. P. janë konfliktuar fizikisht me shtetasin A. D., dhe më pas kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tij. Si pasojë e të shtënave është plagosur dhe është jashtë rrezikut për jetën, shtetasi E. D., i cili ishte në dyqan kur ka ndodhur konflikti.

Po nga hetimet rezultoi se dhe pronari i dyqanit, shtetasi A. D. iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri pistoletë, shtetasve A. H. dhe Xh. P.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestuar në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë që dyshohet se është përdorur nga shtetasi A. D. (pronari i dyqanit).

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo