Vjeshta është padyshim një nga stinët më të bukura të vitit. Megjithatë, ardhja e vjeshtës shoqërohet me një plogështi të thellë, arsyet e të cilës ekspertët i kanë rënditur mjaft qartë.
Përse ndihemi kaq të lodhur me ardhjen e vjeshtës?
Një nga arsyet e para që njeriu ndihet i lodhur është prania e viruseve në ajër të cilët shkaktojnë të ftohurën. Këto viruse lulëzojnë më shumë në pranverë dhe në vjeshtë.
Arsyeja e dytë është dita më e shkurtër.
Vjeshta vjen dhe nuk i gëzohemi dot më ditëve të gjata plot me diell. Mungesa e dritës së diellit ndikon direkt tek energjia e trupit dhe ndryshon disa prej ritmeve natyrale të trupit. Ushqyerja ndryshon gjithashtu me ardhjen e vjeshtës. Ushqimet bëhen më të rënda dhe njeriu i dorëzohet më lehtë joshjes së karbohidrateve tek makaronat apo gjellët e shtëpisë. Ushqimet e pasura me sheqer dhe karbohidrate të përgjumin dhe të shterojnë energjitë. Ekspertët këshillojnë që pavarësisht ndryshimit të stinëve, duhet të hamë më shumë fruta, perime, proteinë por edhe drithëra të plota.
Ardhja e vjeshtës shoqërohet me ndryshime në ciklin e gjumit.
Ka njerëz që flenë më pak, por me ndryshimin e orës mund të flemë edhe më shumë. Fjetja e tepërt por edhe mungesa e gjumit shkakton një rënie të nivelit të energjisë. Pavarësisht ndryshimit të stinëve, ekspertët rekomandojnë 8 orë gjumë në ditë dhe zgjimin në të njëjtën orë çdo ditë.
Tek disa njerëz, ndryshimi i stinëve manifestohet me një formë depresioni si pasojë e ekspozimit të kufizuar ndaj dritës së diellit. Simptomat e kësaj sindrome të njohur si “çrregullim emocional stinor” janë: acarimi, tensioni i lartë i gjakut, rëndimi i duarve dhe këmbëve.