Lajme

“Po me ndjekin këta të …” – Rrëmbehet në Kombinat “i forti” i Vlorës, ishte me ish-banoren e BBV

Detaje të reja, ende të pakonfirmuara zyrtarisht, po qarkullojnë në media lidhur me fatin e Inez Hajrullës, i njohur si “Ini i Çones”, një prej personave më të kërkuar në vend, ku ka dyshime të forta se mund të jetë rrëmbyer. Ai pretendohet se është rrëmbyer në zonën e Kombinatit në Tiranë nga persona të maskuar, të cilët mbanin jelekë të ngjashëm me ata të përdorur nga Byroja Kombëtare e Hetimit.

Sipas raportimeve, Hajrulla ishte nisur nga Vlora drejt kryeqytetit për të takuar një mik. Gjatë komunikimeve telefonike për të lënë orën dhe vendin e takimit, ai dyshohet se ka shprehur shqetësimin se po ndiqej nga persona që mendonte se i përkisnin BKH-së dhe se mund të arrestohej në kuadër të hetimeve të SPAK-ut.

Takimi me mikun e tij raportohet se ishte parashikuar rreth orës 13:00, me shumë gjasë në zonën e Selitës. Por, para këtij takimi, Hajrulla dyshohet se është takuar me një vajzë në Kombinat. Mediat raportojnë se bëhet fjalë për një ish-banore të “Big Brother VIP Albania”, identiteti i së cilës nuk është bërë publik.

Deri më tani nuk ka të dhëna të konfirmuara që të tregojnë nëse takimi me vajzën ka pasur lidhje me zhdukjen e pretenduar apo nëse ajo ka qenë në dijeni të ndonjë plani të mundshëm. Për këtë arsye, rrethanat e takimit mbeten të paqarta.

Ndërkohë, raportimet mediatike ngrenë pikëpyetje edhe për një tjetër episod të ndodhur të mërkurën. Sipas tyre, policia ka kryer kontrolle në një hotel në zonën e Vaqarrit, pas një telefonate anonime ku pretendohej se Hajrulla ndodhej në një nga dhomat e tij. Megjithatë, deri në këtë moment, nuk ka një konfirmim zyrtar për vendndodhjen e Inez Hajrullës, ndërsa rrethanat e zhdukjes së tij të pretenduar dhe pistat e mundshme mbeten të paqarta.

Të Ngjashme