Shumica prej nesh janë mësuar ta shohin gabimin si dështim. Në shkollë, një gabim barazohet me notë më të ulët. Në përditshmëri, shpesh e shmangim. Megjithatë, shkenca moderne e të nxënit tregon diçka tjetër, truri nuk i “frikësohet” gabimeve, por i shfrytëzon ato.
Studiues nga National University of Singapore sugjerojnë se kur përpiqemi të hamendësojmë një përgjigje para se ta shohim, e kujtojmë më mirë, edhe nëse përgjigjja jonë fillestare është plotësisht e gabuar.
Studiuesit Tabitha J. E. Chua dhe Steven C. Pan studiuan mënyrën se si të rriturit mësojnë fjalë të panjohura në spanjisht.
Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe. Grupi i parë shihte një fjalë spanjolle dhe përpiqej të hamendësonte kuptimin e saj para se të shihte përgjigjen e saktë. Grupi i dytë thjesht shihte fjalën së bashku me figurën ose kuptimin e saktë.
Të dy grupet kishin të njëjtën kohë për të parë përgjigjen e saktë. Dallimi ishte se grupi i parë bënte më parë një përpjekje “të verbër”.
Rezultati? Në të gjitha eksperimentet, ata që hamendësonin më parë i mbanin mend më mirë fjalët.
“Hamendësoj më parë, mësoj më pas”
Shpjegimi vjen nga psikologjia njohëse dhe kërkimet mbi kujtesën.
Ekzistojnë dy mekanizma kryesorë:
Aktivizimi i trurit: Kur përpiqemi të gjejmë një përgjigje, aktivizojmë njohuri të lidhura, edhe nëse janë të gabuara. Krijohet një “rrjet mendor” mbi të cilin mund të lidhet informacioni i saktë.
Fuqia e befasisë: Kur kuptojmë se kemi gabuar, truri i kushton më shumë vëmendje përgjigjes së saktë. Kjo mospërputhje vepron si sinjal: “kushto vëmendje këtu”. Kështu informacioni ruhet më fort.
Interesant është fakti se përfitimi nuk u shfaq vetëm kur pjesëmarrësit hamendësonin saktë. Edhe përgjigjet e gabuara ndihmuan në të nxënë.
Gjetjet e publikuara në Cognitive Research: Principles and Implications shpjegojnë pse shumë aplikacione moderne për mësimin e gjuhëve përdorin metodën “hamendëso më parë, mëso më pas”.
Nuk është vetëm më interaktive, por edhe më efektive.
Në jetën e përditshme kjo mund të zbatohet thjesht:
-T’i lejojmë fëmijët të provojnë para se t’u japim përgjigjen e saktë
-Të bëjmë pyetje në vend që të japim zgjidhje të gatshme
-Të inkurajojmë përpjekjen, jo vetëm rezultatin
Gabimet janë pjesë e të nxënit
Kur një njeri nuk ka frikë të gabojë:
-merr pjesë më aktivisht
-mendon më krijueshëm
-mëson më thellë dhe më kuptimplotë
Çfarë mbetet për t’u parë
Studimi u fokusua në një proces të shkurtër të të nxënit dhe në material të thjeshtë (fjalor). Shkencëtarët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për:
–të nxënit afatgjatë
-grupmosha të ndryshme
-fusha më komplekse të dijes
