ShowBizzz

Policia e kërkoi në 10 banesa, ja ku u gjet Jozi dhe çfarë tha në momentin e arrestimit

Detaje të reja janë zbuluar lidhur me shoqërimin në polici të Jozefin Markut, pas publikimit të pamjeve të incidentit me Edi Kuçin.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, policia fillimisht ka ushtruar kontroll në banesën e këngëtarit në Fushë-Kuqe, por ai nuk është gjetur aty.

Më pas kontrollet janë zgjeruar edhe në banesat e miqve të tij. Sipas të njëjtit raportim, efektivët kanë kryer kontrolle në rreth 10 banesa në kërkim të Markut.

Këngëtari është gjetur përfundimisht në Fushë-Krujë, në banesën e mikut të tij, Kristian Nikolli, ku edhe është vënë në pranga nga efektivët.

Në momentin kur është konstatuar nga policia, Jozi ka mohuar se ishte larguar për t’iu fshehur autoriteteve.

“Jam për qejf këtu, nuk po i fshihem policisë. Do të vija vetë në polici nëse e dija që po më kërkonit”, mësohet të jetë shprehur ai.

Marku është shoqëruar në polici në kuadër të veprimeve për incidentin me Edi Kuçin, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë në ngjarje.

Të Ngjashme