Pas 27 vjetësh nga zhdukja e tij gjatë luftës në Kosovë, është konfirmuar identifikimi i Dr. Adem Ademit, njërit nga tre anëtarët e Grupit të Intelektualëve, të cilët ishin zhdukur me dhunë në prill të vitit 1999.
Lajmin për identifikimin e tij e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili ka njoftuar se, pas pranimit të raporteve të reja të ADN-së nga laboratori në Hagë, janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.
Sipas njoftimit të Kurtit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, tashmë ka informuar familjet e tre personave të identifikuar.
Ndërkaq, konfirmimin për identifikimin e Dr. Adem Ademit e ka bërë edhe familja e tij. Djali i tij, Erblin Ademi, përmes një njoftimi publik në emër të familjes, ka bërë të ditur se rezultatet e analizave të ADN-së, të pranuara nga laboratori në Hagë, kanë mundësuar identifikimin e babait të tij.
Në reagimin e familjes theksohet se pas gati tri dekadash pasigurie dhe pritjeje, tashmë mund të përmbyllet një kapitull i dhimbshëm dhe Dr. Adem Ademit t’i jepet lamtumira e fundit me dinjitet.
Familja Ademi ka shprehur mirënjohje për institucionet e Republikës së Kosovës, zyrtarët, hetuesit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, si dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në zbardhjen e fatit të tij.
Në njoftim është kujtuar edhe kontributi i Dr. Adem Ademit si mjek dhe kirurg, si dhe përkushtimi i tij ndaj njerëzve dhe shoqërisë.
Familja ka bërë të ditur se ai do të përcillet për në banesën e fundit me nderimin dhe dinjitetin që meriton, ndërsa për datën dhe kohën e varrimit, si dhe organizimin e të pames, do të njoftojë në ditët në vijim.
Ndërkohë, kryeministri Kurti, duke iu referuar identifikimit të tre intelektualëve, ka theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.
“Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, bashkë me kërkesën dhe angazhimin për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës”, ka shkruar Kurti.
Identifikimi i tre personave shënon një zhvillim të rëndësishëm për familjet e tyre, të cilat për më shumë se dy dekada kanë pritur përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.
