Lajme

Policia e Kosovës ka kryer të premten një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit për krime lufte në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka kryer të premten një bastisje në lokacionin e njërit prej të dyshuarve për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë vitit 1999.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është zhvilluar në Zubin Potok, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pas arrestimit më 28 korrik 2026 të dy të dyshuarve me inicialet M.J. dhe M.B.

Bastisja është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në lokacionin e të dyshuarit M.J.

Gjatë kontrollit, Policia ka sekuestruar prova materiale që, sipas autoriteteve, dëshmojnë se i dyshuari M.J. ka qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive e ish-Armatës Jugosllave gjatë periudhës së luftës.

Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullësisë civile“, e sanksionuar me nenin 142 të Kodit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).

Policia e Kosovës bëri të ditur se hetimet janë në vazhdim dhe se, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, mbetet e përkushtuar në trajtimin e të gjitha rasteve penale, përfshirë edhe ato që lidhen me krimet e luftës.

Të Ngjashme